Qeveria shqiptare ka miratuar sot një vendim të ri që përcakton specifikimet teknike dhe rregulla më të forta për vulosjen e dokumenteve të udhëtimit në të gjitha pikat e kalimit kufitar në Republikën e Shqipërisë. Ky akt nënligjor, i miratuar në zbatim të ligjit të ri për kontrollin e kufirit shtetëror, synon forcimin e sigurisë dhe modernizimin e procesit të kontrollit dhe verifikimit të udhëtarëve.
Sipas vendimit të Këshillit të Ministrave, vulat kufitare tashmë do të klasifikohen si “mall me natyrë të veçantë”, çka nënkupton se do t’i nënshtrohen procedurave specifike të prokurimit, administrimit dhe sigurisë.
Vulat e reja do të prodhohen me trup dhe gjurmë metalike për të garantuar rezistencë ndaj përdorimit të shpeshtë, ndërsa elementi kryesor i sigurisë do të jetë datari dhe kodi i lëvizshëm i sigurisë, i cili do të ndryshohet periodikisht, me interval jo më të gjatë se një muaj.
Çdo vulë do të jetë e personalizuar dhe do të përmbajë emrin e pikës së kalimit kufitar përkatës, simbolin e mjetit të udhëtimit sipas kategorisë (ajror, detar ose tokësor), simbolin shtetëror “AL” të rrethuar me rreth, si edhe kodet e sigurisë, të cilat do të konsiderohen informacion konfidencial
Për të garantuar gjurmueshmëri të plotë, do të krijohet një Pikë Kombëtare Kontakti nën varësinë e Policisë së Shtetit. Kjo strukturë do të ketë akses të menjëhershëm për të identifikuar çdo efektiv të policisë kufitare që ka në përdorim një vulë të caktuar, si dhe kodin përkatës të saj, në çdo moment.
Vendimi përcakton edhe mënyrën praktike të vulosjes së dokumenteve të udhëtimit, me qëllim shmangien e dëmtimit të pasaportave apo mbulimit të vizave ekzistuese.
Për pasaportat pa vizë, vula e hyrjes do të vendoset në anën e majtë të faqes së parë të lirë, duke filluar nga pjesa e sipërme, ndërsa vula e daljes do të vendoset pranë saj në të njëjtën faqe.
Për pasaportat që përmbajnë vizë, vula duhet të vendoset në faqen përballë asaj ku ndodhet viza. Nëse kjo faqe nuk është e disponueshme, procedohet me faqen pasuese.
Rregullat ndalojnë në mënyrë kategorike vendosjen e vulave në zonën e lexueshme nga pajisjet elektronike (MRZ), si edhe në faqet e rezervuara për shënime të tjera zyrtare.
Për rastet e refuzimit të hyrjes në Shqipëri, procedura parashikon që në pasaportë të vendoset fillimisht vula e hyrjes, e cila më pas anulohet me një kryq të bërë me bojë të pashlyeshme. Krahas saj vendoset edhe shkronja identifikuese që tregon arsyen konkrete të refuzimit.
Në rast se një efektiv i policisë kufitare kryen gabim gjatë procesit të vulosjes, vula e gabuar revokohet duke vendosur dy viza paralele në këndin e sipërm të majtë të saj.
Gjithashtu, për qytetarët që kanë hyrë ose dalë ligjërisht nga territori, por për arsye të ndryshme nuk kanë vulë në pasaportë ose mungon regjistrimi në sistemin elektronik, Policia Kufitare do të lëshojë një formular të posaçëm vërtetimi. Ky dokument do të jepet vetëm pasi autoritetet të kenë verifikuar ligjshmërinë e lëvizjes përmes dokumentacionit mbështetës, si bileta udhëtimi, listat e pasagjerëve apo arkivat zyrtare.
Vendimi i ri shfuqizon rregulloren e mëparshme të vitit 2016 dhe ngarkon Ministrinë e Brendshme me zbatimin e menjëhershëm të këtyre procedurave në të gjitha pikat e kalimit kufitar në vend.
V E N D I M
PËR
PËRCAKTIMIN E FORMATIT DHE TË SPECIFIKIMEVE TEKNIKE TË VULAVE TË VERIFIKIMIT KUFITAR, SI DHE TË RREGULLAVE PRAKTIKE TË VULOSJES SË DOKUMENTEVE TË UDHËTIMIT GJATË HYRJE-DALJEVE NË KUFIRIN SHTETËROR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 5, të nenit 17, të ligjit nr.39/2025, “Për kontrollin e kufirit shtetëror”, me propozimin e ministrit të Punëve të Brendshme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Vulat që përdoren nga rojat kufitare, për efekt të verifikimeve kufitare në hyrje dhe në dalje të kufirit shtetëror të Republikës së Shqipërisë (në vijim, vulat e hyrje-daljes), kategorizohen si mall me natyrë të veçantë dhe prokurohen në përputhje me parashikimet e ligjit nr.162/2020, “Për prokurimin publik”, të ndryshuar.
2. Trupi dhe gjurma e vulave të hyrje-daljes është prej materiali metalik, i cili i reziston përdorimit të shpeshtë dhe për një kohë të gjatë.
3. Trupi i vulave të hyrje-daljes përmban mekanizëm të lëvizshëm, që mundëson ndërrimin e datarit dhe të kodit të sigurisë.
4. Specifikimet e gjurmës së vulave të hyrje-daljes klasifikohen “konfidenciale”.
5. Gjurma e vulave të hyrje-daljes përmban kodin e personalizuar, emrin e pikës përkatëse të kalimit kufitar, simbolin përkatës të mjetit të udhëtimit, në varësi të pikës së kalimit kufitar dhe, në zonën ku vendosen shkronjat e simbolit të shtetit, përmban simbolin “AL” të rrethuar nga një rreth.
6. Mënyra e përcaktimit të kodit të sigurisë së vulave të hyrje-daljes për secilën pikë të kalimit kufitar, procedurat për magazinimin, ruajtjen, sigurimin e dorëzimin e vulave për çdo turn dhe për çdo rojë kufitare në pikat e kalimit kufitar, si edhe formati e përmbajtja e informacionit lidhur me vulat e hyrje-daljes të dëmtuara, të humbura apo të vjedhura, përcaktohen dhe rregullohen në procedurat standarde të punës të Policisë Kufitare dhe Migracionit.
7. Kodi i sigurisë së vulave të hyrje-daljes ndërrohet në intervale të rregullta, jo më të gjata se një muaj.
8. Me urdhër të drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit përcaktohet një Pikë Kombëtare Kontakti, përgjegjëse për shkëmbimin e informacionit për kodet e sigurisë së vulave të hyrje-daljes. Pika Kombëtare e Kontaktit ka akses të menjëhershëm në informacionin për këto vula për:
a) pikën e kalimit kufitar, në të cilën është dorëzuar një vulë e caktuar dhe gjendjen e saj fizike;
b) identitetin e rojës kufitare, të cilit i është dhënë në dorëzim një vulë e caktuar, në një kohë të caktuar;
c) kodin e sigurisë së një vule të caktuar, në një kohë të caktuar.
9. Kërkimi i informacionit për vulat e hyrje-daljes, në përputhje me parashikimet e pikës 8 të këtij vendimi, kryhet nëpërmjet Pikës Kombëtare të Kontaktit.
10. Vulosja e pasaportës që nuk përmban vizë kryhet duke vendosur vulën e hyrjes në anën e majtë të faqes së parë të lirshme të pasaportës, duke filluar nga lart. Vula e daljes vendoset, parimisht, në të njëjtën faqe, përbri vulës së hyrjes.
11. Vulosja e pasaportës që ka një vizë, me të cilën personit i jepet e drejta e hyrjes, kryhet sipas parashikimeve të pikës 10 të këtij vendimi, në faqen përballë faqes, ku është vendosur viza. Nëse kjo faqe është e zënë, vulosja kryhet në faqen e lirë vijuese.
12. Vulat e hyrje-daljes në pasaportë nuk vendosen në faqet, në të cilat pasqyrohen ose kërkohen shënime të tjera, si dhe në zonën e lexueshme nga aparaturat.
13. Në dokumentet e tjera, që janë përcaktuar për t’u vulosur, sipas ligjit nr.39/2025, “Për kontrollin kufitar”, dhe akteve nënligjore në zbatim të tij, vulat e hyrje-daljes vendosen në hapësirën e posaçme për vulosje ose në një pjesë të dukshme të dokumentit, kur nuk ka një hapësirë të tillë.
14. Në rastet e refuzimit të hyrjes, në faqen e parë të lirshme të pasaportës vendoset vula e hyrjes, e cila anulohet me vendosjen e një kryqi, të realizuar me bojë të pashlyeshme, sipas modelit të shtojcës 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi, dhe përbri saj, në anën e djathtë, po me këtë lloj boje, shënohet shkronja ose shkronjat korresponduese për refuzimin e hyrjes, sipas formularit të refuzimit të hyrjes.
15. Kur vula e hyrjes ose e daljes vendoset gabimisht në një dokument apo paraqet të dhëna jo të sakta, ajo revokohet me dy viza paralele, me bojë të pashlyeshme, të vendosura në këndin e sipërm të vulës, në anën e majtë, sipas modelit të shtojcës 2, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
16. Personat që kanë hyrë ose që kanë dalë në mënyrë të ligjshme, por të cilëve u mungon vula në dokumentin e udhëtimit apo shënimet zyrtare përkatëse në sistemet elektronike, pajisen me formularin që vërteton hyrjen ose daljen e ligjshme, sipas shtojcës 3, që i bashkëlidhet këtij vendimi, nga struktura e Policisë Kufitare dhe të Migracionit, që evidenton e para rastin. Kjo strukturë kryen verifikimin e ligjshmërisë së hyrjes ose të daljes së personit me anë të dokumenteve ndihmëse: bileta udhëtimi, lista udhëtarësh, shënime të tjera zyrtare, arkiva të ndryshme dhe bën shënimin për datën, vendin dhe drejtimin e kalimit të kufirit në dokumentin e udhëtimit të personit.
17. Departamenti për Kufirin dhe Migracionin, në bazë të nevojave të secilës pikë të kalimit kufitar, harton listën e plotë të kërkesave për vulat e hyrje-daljes, duke përfshirë kodet e personalizuara dhe simbolet përkatëse të mjetit të transportit për secilën vulë.
18. Vulat e nxjerra jashtë përdorimit ruhen dhe administrohen sipas rregullave të përcaktuara në ligjin nr.9154, datë 6.11.2003, “Për arkivat”, të ndryshuar.
19. Vendimi nr.824, datë 23.11.2016, i Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e formatit e të specifikimeve teknike të vulave të verifikimit kufitar dhe të rregullave të vendosjes së tyre në dokumentet e udhëtimit gjatë hyrje-daljeve në kufirin shtetëror”, shfuqizohet.
20. Ngarkohen Ministria e Punëve të Brendshme dhe Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
