Në Bruksel u mbajt Konferenca e 8-të Ndërqeveritare Shqipëri-BE, ku Bashkimi Europian vlerësoi progresin e Shqipërisë në negociata, por vendosi sërish theksin te reforma në drejtësi, SPAK dhe lufta kundër korrupsionit.
Shqipëria dhe Bashkimi Europian zhvilluan këtë të martë në Bruksel Konferencën e 8-të Ndërqeveritare, një nga momentet më të rëndësishme të procesit të integrimit europian të vendit, pasi shënon nisjen zyrtare të fazës së mbylljes së kapitujve të negociatave.
Takimi nisi në orën 19:00 dhe zgjati më shumë se një orë, ndërsa në përfundim kryeministri Edi Rama, Komisionerja Europiane për Zgjerimin Marta Kos dhe zëvendësministrja për Çështjet Europiane të Qipros, Marilena Raouna, dolën në një konferencë të përbashkët për shtyp.
Konferenca erdhi pasi Komiteti i Përfaqësuesve të Përhershëm të vendeve anëtare të BE-së, COREPER, konfirmoi se Shqipëria ka përmbushur kushtet e ndërmjetme për grupkapitullin “Themelorët”, ku përfshihen drejtësia, të drejtat themelore, siguria, sundimi i ligjit dhe lufta kundër korrupsionit.
Kryeministri Edi Rama e cilësoi këtë moment si një “gur kilometrik” për Shqipërinë dhe tha se vendi ka hyrë në fazën finale të negociatave.
“Dashuri e pashtershme, pa kushte. Dashuri që sjell vuajtje ndonjëherë, por ja ku jemi, jemi shumë të lumtur sepse kemi arritur një tjetër gur të jashtëzakonshëm kilometrik. Ne i çelëm të gjithë kapitujt brenda 11 muajve dhe kaluam nga kjo tek faza e nisjes së mbylljes së kapitujve. Ndihemi të energjizuar, të inkurajuar, por edhe me më shumë përgjegjësi, sepse e dimë që është fillimi i fundit dhe duhet të bëjmë më shumë punë”, deklaroi Rama.
Kreu i qeverisë theksoi se procesi i integrimit ka sjellë transformime konkrete në ekonomi dhe institucione.
“Është momenti t’u themi të gjithë shqiptarëve që e kanë ndjekur IBAR-in me kaq shumë vëmendje se sot kemi një vend që ka PPB prej 27 miliardë eurosh, kur e nisëm me tetë. Kemi një vend që ka kaluar nga 300-400 milionë euro investime të huaja në miliarda. Kemi një sistem drejtësie të fuqizuar dhe të pavarur si kurrë më parë në historinë e vendit tonë. Rrugëtimi ynë europian është i pakthyeshëm”, u shpreh ai.
Por ndërsa Rama shfaqi entuziazëm për ecurinë e negociatave, zyrtarët europianë vendosën theks të fortë te nevoja për rezultate konkrete në luftën kundër korrupsionit dhe forcimin e shtetit ligjor.
Komisionerja Europiane për Zgjerimin, Marta Kos, vlerësoi progresin e Shqipërisë gjatë dekadës së fundit, sidomos në reformën në drejtësi dhe ngritjen e institucioneve të reja të drejtësisë.
“Puna juaj e 10 viteve ka qenë e suksesshme. Janë hedhur hapa në mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Ngritja e institucioneve të reja të drejtësisë ka frenuar ndërhyrjen e politikës në sistemin gjyqësor. SPAK ka vërtetuar se mund të japë rezultate dhe të bëhet institucioni më i besuar në Shqipëri. Ky është një themel i fortë për të punuar mbi të. Sot ne po vendosim me vetëbesim edhe termat përfundimtarë të rrugëtimit në BE”, deklaroi Kos.
Ajo theksoi se konferenca e sotme hap një fazë të re të negociatave dhe kërkoi që Shqipëria të intensifikojë reformat.
“Arritja e sotme çel një fazë të re të bisedimeve të zgjerimit dhe bën të mundur për Shqipërinë të ecë përpara me mbylljen e kapitujve. Ky është momenti për të kremtuar dhe intensifikuar punën. Ne vijojmë të mbështesim punën e Shqipërisë për mbylljen e negociatave në vitin 2027. Pritet progres i mëtejshëm”, tha Komisionerja Europiane.
Kos kërkoi gjithashtu që reforma të përfshijë jo vetëm qeverinë, por të gjithë aktorët politikë dhe shoqërinë civile.
“Mbetemi te Shqipëria për të konsoliduar reformat dhe kjo duhet të përfshijë të gjitha forcat politike dhe shoqërinë civile në vend”, shtoi ajo.
Edhe zëvendësministrja për Çështjet Europiane të Qipros, Marilena Raouna, e cilësoi përmbushjen e grupkapitullit “Themelorët” si një arritje të rëndësishme për Shqipërinë.
“Konferenca doli në përfundimin që Shqipëria ka plotësuar me sukses grupkapitullin e Themeloreve. Kjo është një arritje e rëndësishme. Ky gur kilometrik e lejon Shqipërinë të ecë përpara në procesin e anëtarësimit dhe të mbyllim provizorisht kapitujt”, deklaroi Raouna.
Megjithatë, ajo paralajmëroi se tani nis një fazë edhe më e vështirë e procesit të integrimit.
“Konferenca e sotme shënon fillimin e një faze të re edhe më sfiduese. Progresi nuk matet vetëm me miratimin e reformave, por me zbatimin e tyre efektiv, rezultate të qëndrueshme dhe të pakthyeshme”, u shpreh zyrtarja qipriote.
Më herët një paralajmërim i fort erdhi dhe nga ambasada e Gjermanisë dhe ajo e Holandës në Tiranë, të cilat e bënë të qartë se nëse pengohet SPAK dhe nuk arrestohen të korruptuarit, nuk ka integrim.
“Respektimi i pavarësisë së drejtësisë dhe lufta pa pengesa e korrupsionit edhe në raste të nivelit të lartë janë kushte të panegociueshme për progresin e Shqipërisë në procesin e anëtarësimit në BE. Këtu bën pjesë edhe fakti që vendimmarrjet lidhur me heqjen e imunitetit duhet të jenë në harmoni me rekomandimet e Komisionit të Venecias”, thuhet në deklaratën e përbashkët të Gjermanisë dhe Holandës.
Në dokumentet e BE-së të miratuara përpara konferencës, theksi është vendosur te sundimi i ligjit, rezultatet konkrete në luftën kundër korrupsionit dhe mbrojtja e pavarësisë së SPAK, ndërsa korrupsioni vijon të konsiderohet një “shqetësim thelbësor” për procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian
