Meteorologia Lajda Porja bëri parashikimin e motit, ku theksoi se kemi hyrë zyrtarisht në stinën e nxehtë.
Meteorologia gjithashtu u shpreh se temperaturat e ditëve të sotme do të arrijnë 35-36°C dhe ditët në vijim pritet të mbeten në këto parametra.
Sakaq, ajo theksoi se këto temperatura vijnë për shkak të valës së të nxehtit afrikan, i cili ka goditur fillimisht jugperëndimin e kontinentit.
“Në fakt, ne kemi parë që jo vetëm Shqipëria, por i gjithë kontinenti i Europës tashmë prej disa ditësh po përjeton temperatura mjaft të larta, kjo edhe për shkak të valës së nxehtë afrikane, e cila është futur si fillim në jugperëndim të kontinentit, në Portugali, në Spanjë, tashmë ka mbërritur në Europën Qendrore dhe deri në Skandinavi, duke sjellë temperatura shumë të larta.
Ne kemi regjistruar gjatë ditës së djeshme temperaturën 34°. Presim që sot termometri të ngjitet në 35-36°, ku do të jetë kryesisht në qarkun e Shkodrës, të Elbasanit dhe të Beratit. Këto do jenë edhe tre qarqet ku do të shënohen temperaturat më të larta.
Parashikohet në fakt që edhe ditët vijuese të jenë rreth këtyre vlerave. Ka sinjale që fundjava të sjellë një freskim të motit, por do jetë një freskim i lehtë i motit.
Pra, nga 36° ne presim që në fundjavë të jemi në 33° Celsius. Për sa i përket motit, nuk është totalisht një qiell i pastër. Kemi kryesisht mot të kthjellët, por vranësirat janë prezente.
Çdo pasdite do të rrezikohet nga rrebeshe të izoluara të shiut, kryesisht në zonat lindore.
Dhe mbetet, le të themi, me kthjellime dhe vranësira përpara shiut pjesa më e madhe e territorit, duke përjashtuar skajin verilindor dhe juglindor, ku rrebeshet do jenë prezente në çdo pasdite të kësaj jave. Kjo edhe për shkak të temperaturave të larta”, tha Porja.
