Kreu i qeverisë, Edi Rama, ka dalë këtë të hënë, 1 qershor, lidhur me ngjarjen e Zvërnecit, ku punonjësi i një shoqërie private të sigurisë së kantierit ku po protestohej, goditi me grusht njërin prej protestuesve.
Rama deklaroi se zona e Pishë Poros nuk bën pjesë në kategoritë më të larta të mbrojtjes mjedisore, duke theksuar se statusi i saj si peizazh i mbrojtur nuk e përjashton zhvillimin e aktiviteteve ekonomike, sociale dhe turistike.
Gjatë një reagimi publik, Rama tha se ishte qeveria socialiste që në vitin 2017 ndërmori procesin e zgjerimit të mbrojtjes së territoreve natyrore në Shqipëri, duke përshtatur legjislacionin me standardet ndërkombëtare.
“E vërteta është e mërzitshme dhe gënjeshtrat janë argëtuese.
Ka qenë kjo shumicë parlamentare e PS-së dhe kam qenë unë kryeministër, në mandatin tonë të parë, kur kemi bërë futjen në mbrojtje të Republikës së Shqipërisë në të gjithë territoret e cënuara, në 2017.
Pishë Poro nuk është një zonë e mbrojtur e kategorisë së parë apo të dytë, por klasifikohet edhe sipas IUCN-së në kategorinë e 5-të, peizazh i mbrojtur, dhe për shpalljen peizazh i mbrojtur ka një vendim qeverie.
Por ajo që është e rëndësishme të thuhet është që në 2017 këto kategori në ligjin tonë janë adoptuar në mënyrë të plotë. Thelbi është praktikisht i gjithi i ligjëzuar me standardet më të larta ndërkombëtare.
Në parim, sa më lart të shkohet në kategoritë 1-2, aq më shumë kufizohet ndërhyrja njerëzore. Kategoritë 5-6 janë ndërtuar në konceptin e bashkëjetesës së natyrës me aktivitetin ekonomik, social dhe turistik. Për këtë arsye, kategoria 5 nuk konceptohet si zonë pa zhvillim. Aty banojnë njerëz.
Në hartën e Europës ka jo pak laguna shumë përafërsisht të ngjashme me këtë lagunë, që janë destinacione turistike të jashtëzakonshme, ku ka aktivitet të plotë ekonomik dhe social.
Në nenin 20 të ligjit, përcaktohet qartësisht se peizazhi i mbrojtur është një territor ku mund të ekzistojnë qendra banimi dhe aktivitete si peshkimi, turizmi, bujqësia.
Në pikën 4 të nenit 20, përcaktohet se zonat urbane, autostradat, lejohen të ushtrohen nëse subjekti pajiset me leje nga Këshilli Kombëtar i Territorit. Prandaj, miqtë e mi, ka qenë dhe është peizazh i mbrojtur”, tha Rama.
