Deputeti socialist Erion Braçe ka reaguar pas protestës para Kryeministrisë për projektin e Zvërnecit.
Në një status në Facebook, Braçe tha se në protestën e ditës së djeshme kishte edhe socialistë të cilët sipas tij ndihen të përjashtuar.
Më tej ai shprehu se partia duhet të qeverisë me ta, por shtoi se Shqipëria nuk e ka luksin e humbjes së një projekti të tillë.
“Duhet të mësohemi me të gjithë këta. Janë si ne dhe duan të mirën publike! Patjetër duhet të refuzohen abuzuesit e përfituesit politikë, urrejtësit politikë, teknofashistët dixhitalë, nga e djathta në të majtë; sharësit, fyesit, shpifësit, kërcënuesit, trendi më i ri banal i politikës. Me ta edhe dezinformuesit dhe, në fund të tyre, rrugaçët që bërtasin pa turp për robtë e tyre, kor që shajnë robtë e të tjerëve, në fakt të të gjithëve – të gjithë bashkë shumë më pak.
Kishte edhe socialistë aty. I pashë vetë, i kam njohur në rrugët e këtij qyteti në këta muaj! Ata po na flasin përballë, ndihen të lënë mënjanë, të përjashtuar nga procese vendimmarrëse. Ata duhet të dinë, të jenë të informuar, të kenë mundësi të pyesin, të marrin përgjigje, të flasin, të dëgjohen, të diskutojnë e debatojnë, të kritikojnë, të kundërshtojnë, të miratojnë një vendimmarrje të plotë e të qëndrueshme; kjo nuk pengon, garanton! Quhet ekonomi e gjelbër dhe kështu, e gjerë e përfshirëse, e bën më demokratike ekonominë”, thote Braçe.
