Pas eliminimit nga “Ferma VIP 3”, Fabjola Elezaj ka reaguar për herë të parë në rrjetet sociale, duke ndarë me ndjekësit një gjendje mjaft reflektive dhe melankolike. Largimi i saj erdhi si pasojë e një vendimi të marrë nga produksioni, i cili hapi një televotim pas gjuhës së rëndë fyese që ajo përdori gjatë “Prime-it” të së hënës së kaluar.
Publiku vendosi me votën e tij që rrugëtimi i Fabjolës në fermë duhet të ndërpritej të premten.
Mbrëmjen e djeshme, Fabjola ka thyer heshtjen duke postuar disa pjesë nga teksti i këngës së Yll Limanit, “Nuk po ec”. Vargjet e zgjedhura si: “Prap i hupa krejt çka pata”, “Nuk po ec, nuk po ec” dhe “Po du mu kthy kur u kon’ mirë”, duket se janë një dedikim i drejtpërdrejtë për situatën e saj aktuale.
Ky mesazh i koduar tregon qartë se ajo nuk po kalon ditët e saj më të mira dhe ndoshta ndjen një peshë të madhe për veprimet dhe fjalët që i kushtuan qëndrimin në shtëpi.
Ky reagim vjen pas deklaratës së saj të parë menjëherë pas daljes nga ferma të premten, ku Fabjola u shfaq mjaft e prekur dhe reflektive. Ajo pranoi hapur gabimin e bërë, duke e cilësuar vendimin e publikut si plotësisht të drejtë.
Megjithatë, ajo që dukej se e mundonte më shumë ish-konkurrenten ishte frika dhe meraku nëse sjellja e saj kishte zhgënjyer familjen, të cilën e ka përmendur si pikën e saj më të dobët.
Përmes këtyre postimeve, Fabjola duket se po kërkon një formë mirëkuptimi apo ndjesë publike, duke treguar se pas personazhit impulsiv në ekran, fshihet një vajzë që po përballet me pasojat e veprimeve të veta.
