Sunday, April 26, 2026
HomeALBNuk firmos më dhe PIKË”! Albana Koçiu i thotë “Jo” pazareve të...

Nuk firmos më dhe PIKË”! Albana Koçiu i thotë “Jo” pazareve të Edi Ramës

Kryeministri detyrohet të firmosë vetë vendimet e qeverisë për herë të parë në 13 vjet…

Për herë të parë në 13 vite kryeministër, Edi Rama po i firmos vetë vendimet e qeverisë në 6 mbledhje radhazi, ndërkohë që më parë urdhëronte t’i firmosnin zëvendëskryeministrat Niko Peleshi, Senida Mesi, Erion Braçe, Arben Ahmetaj e Belinda Balluku.

Sipas informacioneve nga kryeministria, ky ndryshim ka një shkak të thjeshtë por shumë domethënës: zv/kryeministrja Albana Koçiu po refuzon t’i firmosë.

Argumentet ligjore të refuzimit të saj janë të qarta.

Së pari, zëvendëskryeministri nuk duhet të firmosë vendime qeverie, mbledhjet e të cilave nuk i ka drejtuar ajo, por i ka drejtuar kryeministri.

Së dyti, zëvendëskryeministri detyrohet të firmosë vendime qeverie me delegim firme vetëm me urdhër shkresor dhe vetëm kur mbledhjet zhvillohen gjatë kohës që kryeministri është jashtë Shqipërisë, ose në pamundësi shëndetësore për të marrë pjesë. Ligjërisht, refuzimi i Albanas Koçiu është i drejtë.

Por realisht, ky refuzim ka lidhje me frikën e përballjes penale në SPAK. Sepse vendimet që sajon kryeministri dhe që “gjasme” i propozojnë ministrat, përmbajnë afera financiare e pasurore klienteliste.

Më qartë, Albana Koçiu nuk po pranon të firmosë pazaret që vazhdon të bëjë Edi Rama me klientët dhe miqtë e tij shqiptarë e të huaj, për t’u dhuruar pasuritë dhe fondet publike, licencat, koncesionet dhe lejet e ndërtimit të resorteve me vendime qeverie të personalizuara.

Gjatë 13 viteve, Edi Rama ka firmosur vetëm vendimet burokratike; ato për punësime në administratë, për rritje e indeksim pagash e pensionesh, për pensione suplementare, legalizime ndërtimesh pa leje etj. Ndërsa ish-zëvendëskryeministrat kanë firmosur vendimet për: koncesionet në shëndetësi, landfillet, rrugët, tunelet, kontratat “1 Euro”, “Investitorët Strategjikë” me dhurim tokash e plazhesh në bregdet, lejet për ndërtime resortesh, krijimin e kompanisë “Air Albania” etj., etj.

Rama ka bërë pazaret, ndërsa zv/kryeministrat kanë firmosur garancitë bankare për oligarkët, aferat e korporatës së investimeve, “Durana Park”, dy satelitët fantazmë, kullat “Alabbar”, Aeroportin e Vlorës, Portin e Durrësit, kultivimin e kanabisit, bastet, monopolin e armëve, automjeteve, droneve e mjeteve lundruese ushtarake të dhëna mikut izraelit Ron Yeffet, e shumë të tjera.

Duke ditur këto fakte dhe presionin amerikan ndaj SPAK-ut për të goditur korrupsionin në kupolën e qeverisë, zv/kryeministrja Albana Koçiu ka frikë t’i firmosë pazaret e Edi Ramës. Refuzimi i saj e ka acaruar kryeministrin, sepse ish-zëvendësit e tij gjatë 13 viteve jo vetëm nuk kanë guxuar, por as kanë menduar t’i refuzojnë urdhrat e tij për firmosjen e vendimeve. Albana Koçiu është e para zv/kryeministre që po refuzon.

Nëse do të vazhdojë të mos firmosë vendim-pazaret e Edi Ramës, thuhet se do të shkarkohet nga detyra. ‘Suflerët’ e kryeministrit brenda e jashtë kryeministrisë, për ta detyruar Albanën të firmosë, po i bëjnë presion duke i thënë se përveç shkarkimit, hakmarrja e ‘të gjatit’ do të shoqërohet me hetimin e aktivitetit të saj gjatë 10 viteve drejtoreshë e Administratës Publike, dy viteve ministre e Shëndetësisë si dhe punët e bashkëshortit në Drejtorinë e Doganave.

Pyetja shtrohet: A do të nënshtrohet dhe do të fillojë edhe Albana Koçiu, ashtu si parardhësit, të firmosë vendimet e pazareve që do të bëjë Edi Rama? Apo do të qëndrojë e vetmja zëvendëskryeministre që i tha “jo” sistemit, edhe nëse kjo i kushton karrierën? Le të presim!

RELATED ARTICLES

Most Popular

Recent Comments