Ndahet dosja e Metës, GJKKO pranon gjykim të shkurtuar për Pirro Xhixhon, Ema Çokun dhe Fatime Kryemadhin, ish-presidenti mbetet në burg, debate dhe akuza të forta në seancën gjyqësore
Brenda kafazit të qelqtë dje në sallën e gjyqit në Gjykatën e Posaçme (GJKKO), ish-presidenti i pandehur, Ilir Meta, mundi të komunikojë vetëm me shenja, para çeljes zyrtarisht të seancës. Kjo është e vetmja mënyrë, në kushtet kur mikrofoni brenda kafazit është i mbylllur dhe mund të hapet vetëm kur gjyqtari i jep fjalën.
Me avokatin, iu desh të komunikojë duke u përkulur për të arritur një hapësirë disa centimetërshe në xham. Më i qeshur, në këtë seancë të dytë të gjyqit në themel, Ilir Meta përshëndeti gazetarët dhe të pranishmit në sallë, me gjestin e shqiponjës dykrenare. Përballë tij, në sallë përkrah avokatit të saj, ish-bashkëshortja Monika Kryemadhi, me të cilën sërish nuk pati asnjë përplasje shikimesh. Nëna e Kryemadhit, Fatime Kryemadhi, dhe i pandehuri tjetër në proces, Pirro Xhixho, u përfaqësuan vetëm me avokat.
Debatet
Mediat e kanë kërkuar zyrtarisht, por edhe palët në proces dhanë dakordësi që seanca të jetë live, por pa dhënë shpjegime, gjyqtarja Etleva Deda kërkoi që kamerat, të cilat u lejuan vetëm gjatë në diskutimeve teknike të procesit, të dalin jashtë. Vendimi solli reagimin e avokatit të Ilir Metës, Kujtim Cakrani. “Ky është procesi i vitit, mediat duhet ta transmetojnë live. Nuk duhet t’i ndalini mediat për transmetim live. Nuk keni asnjë bazë ligjore të ndërprisni transmetimin live të mediave”, tha Çakrani.
Në përgjigje gjyqtarja Etleva Deda tha se nëse seanca do të transmetohej live, do të krijonte presion publik dhe mediatik. Avokati Kujtim Cakrani, i kujtoi se procese me rëndësi të veçanta në Shqipëri janë bërë të hapura, por gjyqtarja theksoi se kamerat nuk do të lejohen, dhe se kushdo që dëshiron ta ndjekë gjykimin në sallë, mund ta bëjë atë. “Salla është e vogël, mbase do të vijë e gjithë partia, por këtu nuk ka vend, ka vend vetëm për 30 veta”, tha Cakrani duke shtuar se janë 200 vetë sipas tij, që ndodhen jashtë e duan të shohin nga afër procesin.
“Miting ne nuk bëjmë këtu tani”, u përgjigj gjyqtarja, e cila autorizoi sigurinë të verifikojë nëse ka persona jashtë, por nuk rezultuan. Edhe Monika Kryemadhi instistoi për një proces të hapur, duke thënë se “me këtë intimidim dhe linçim që sipas saj i është bërë, duhet të jetë një seancë e hapur që shqiptarët të shohin provat. “Në Amerikë -theksoi ajo – edhe vrasësi ulet jashtë kafazit, duke shtuar se pa një vendim të formës së prerë prezumohet e pafajshme”.
Avokati i Ilir Metës ironizoi edhe 4 sallat e reja gjyqit të inauguruara këtë të hënë, por sërish me kafazet e qelqta të të paraburgosurve. Ai ju drejtua togave të zeza duke pyetur se ku e kanë “dinjitetin njerëzor më sallat e reja, kur presidenti qëndron në kafaz me xhama”. Monika Kryemadhi kërkoi të gjitha përgjimet, ndërsa gjyqtarja tha se çdo gjë qe ka ardhur nga seanca paraprake, palët do e marrin.
Më pas seanca vijoi me leximin e parashtrimeve nga ana e prokurorëve, të cilët kujtuan edhe një herë provat ndaj të pandehurve për aferën e CEZ-DIA, lobimin në SHBA, apo edhe marrëdhënien korruptive me biznesmenin Adrian Shatku, kushëri i Monika Kryemadhit. Vetëm për këtë marrëdhënie SPAK tha se ish çifti përfituan rreth 526 mijë dollarë, 234 mijë dollarë blerje nga Kryemadhi me kartën e kreditit dhe pjesa tjetër për lobimin në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Kjo nxiti reagimin e ish kryetares së LSI, e cila akuzoi prokurorët si mashtrues, ndërsa Presidenti i PL Meta i kujtoi edhe një herë gjykatës që është i divorcuar nga Kryemadhi dhe s’mund të mbajë asnjë përgjegjësi për veprimet e saj. “Në respekt të gjykatës duhet të sqaroj: në seancën paraprake edhe zonja Gjoka e ka kuptuar këtë histori. Unë kam statusin ‘i divorcuar’. Unë mos të mbaj përgjegjësi çfarë ka bërë Kryemadhi në të kaluarën pa dijeninë time. Përgjegjësia ime është individuale.
Më trego një shpenzim që kam bërë unë. Edhe orën e kam prej para 20 vitesh. Nuk u kushtoj shumë rëndësi këtyre”, tha ai, duke pretenduar se edhe orën e ka të vjetër prej 20 vitesh. Ndërkaq Gjykata (GJKKO) pranoi kërkesën për gjykim të shkurtuar, për tre të pandehurit e tjerë, nënën e Monika Kryemadhit, Ema Çokun, mikeshë e saj, të akuzuara për pastrim parash, si dhe ish kreun e AKEP Pirro Xhixho, i pandehur për korrupsion.
Meta mbetet në qeli
Nga ana tjetër, Gjykata e Posaçme ka lënë dje në qeli ish-Presidentin Ilir Meta, duke rrëzuar kërkesën e tij për zëvendësim mase. Ish kreu i shtetit kërkoi lirimin nga qelia kundrejt garancisë pasurore, por edhe kjo kërkesë nuk iu mor parasysh. Prokurori Sotir Kllapi gjithashtu hodhi poshtë pretendimin e avokatit të Metës, se vendimi unifikues i Gjykatës së Lartë për masën e sigurisë legjitimonte lirimin e kryetarit të Partisë së Lirisë. Vendimi gjykatës së lartë nuk sjell asgjë të re në këtë proces”, tha prokurori.
Avokati i Metës, Kujtim Cakrani mori shembull vendimin e Gjykatës së Lartë, që liroi ish-drejtoreshën e AKSHI-t, dhe ia zëvendësoi masën e arrestit në shtëpi në detyrim paraqitje. “Gjykata duhet të parashohë rrethanat dhe rrezikshmërinë e individit, duhet arsyetuar nga gjykata pse mbahet në paraburgim një individ. Gjykata e Lartë liroi Mirlinda Karcanajn që akuzohet për grup kriminal, ndërsa Meta mbahet prej 19 muajsh në paraburgim”, theksoi avokati.
Reagon avokati i Metës
Ndërkohë pas përfundimit të seancës së dytë gjyqësore në themel ndaj ish-presidentit Ilir Meta në Gjykatën e Posaçme, avokati i tij mbrojtës, Kujtim Cakrani, deklaroi dje se procesi ndaj Metës dhe Monika Kryemadhit do të vijojë me gjykim të zakonshëm, me synimin për të provuar pafajësinë e tyre. Në një deklaratë për mediat, Cakrani tha se gjykata vendosi të pranojë kërkesën për gjykim të shkurtuar për bashkë të pandehurit dhe njëkohësisht ndarjen e dosjes. “Gjykata sot, pasi dëgjoi prokurorin në mënyrë të përmbledhur përsa i përket bashkë të pandehurve, vendosi të pranojë gjykimin e shkurtuar dhe ndarjen e çështjes, duke u bazuar te neni 93. Tashmë çështja do të rihidhet përsëri në short dhe presim që trupi gjykues i ardhshëm do të shqyrtojë çështjen në themel të zonjës Kryemadhi dhe zotit Meta”, u shpreh avokati.
Sipas tij, mbrojtja do të paraqesë një numër të madh provash dhe dëshmitarësh në procesin gjyqësor. “Ne do të paraqesim provat tona. Fatmirësisht kemi shumë kërkesa për pavlefshmëri, papërdorshmëri, por edhe marrjen e provave, jo vetëm ato me dëshmitarë që janë rreth 120 dëshmitarë nga ana jonë, por edhe prova të reja, si raporti i vlerësimit financiar dhe shumë prova të tjera”, deklaroi Cakrani para gazetarëve.
Avokati theksoi se zgjedhja për të vijuar me gjykim të zakonshëm ishte e qëllimshme për të kundërshtuar akuzat e SPAK. “Padyshim që do shkonim me gjykim të zakonshëm, sepse donim të provonim pafajësinë”, tha ai. Cakrani pretendoi gjithashtu se gjatë seancës prokuroria nuk paraqiti prova që implikonin drejtpërdrejt Ilir Metën. “Ju e patë që prokurori nuk kishte asnjë lloj prove që të fajësonte zotin Meta.
Të paktën flas për zotin Meta, që unë jam përfaqësues i tij ligjor. Zoti Meta nuk hynte në asnjë nga bisedat, qofshin telefonike, qofshin mesazhet, e-mailet, por edhe takimet”, u shpreh ai. Po ashutu vokati komentoi edhe vendimin e gjykatës për të mos pranuar kërkesën për zëvendësimin e masës së sigurisë ndaj ish-presidentit. “Ne do të vazhdojmë betejën tonë, edhe pse gjykata sot nuk na pranoi kërkesën për zëvendësimin e masës së sigurimit”, deklaroi Cakrani.
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.
