Monday, May 18, 2026
HomeALBMos ma përktheni të ardhmen!” 🇦🇱 Vogëlushi shqiptar bëhet simbol i protestës...

Mos ma përktheni të ardhmen!” 🇦🇱 Vogëlushi shqiptar bëhet simbol i protestës në Shkup

Mijëra studentë shqiptarë nga Maqedonia e Veriut, të mbështetur edhe nga bashkëmoshatarë të tyre nga Kosova dhe Shqipëria, kanë vërshuar në rrugët e Shkupit në një protestë masive ku kërkohet që provimi i jurisprudencës të mundësohet edhe në gjuhën shqipe. Mes brohoritjeve, flamujve kuqezi dhe marshimit drejt Ministrisë së Drejtësisë, vëmendjen e plotë të rrjeteve sociale dhe të pranishmëve e ka rrëmbyer një djalë i vogël.

I veshur me jelek tradicional shqiptar, vogëlushi u shfaq mes turmës duke mbajtur në duar një pankartë të shkruar vetë, ku lexohej: “Mos ma përktheni të ardhmen!!”. Ky mesazh i thjeshtë por tejet domethënës ka prekur zemrat e mijëra ndjekësve anembanë trojeve shqiptare dhe diasporës, duke u kthyer menjëherë në imazhin simbol të këtij tubimi. I pyetur rreth pranisë së tij, ai u shpreh shkurtimisht se ka dalë në përkrahje të studentëve duke thënë: “Mos ma mohoni gjuhën shqipe”.

Studentët dhe qytetarët e shumtë marshuan nga Ura e Gurit me thirrjet “Gjuha shqipe nuk negociohet”, “Gjuha shqipe amanet” dhe kërkuan dorëheqjen e ministrit të Drejtësisë, Igor Filkov, duke e cilësuar të drejtën e përdorimit të gjuhës si një të drejtë kushtetuese të patjetërsueshme.

Megjithatë, tubimi nuk kaloi pa tensione. Raportohet se forca të shumta policore kanë ndërhyrë duke arrestuar tre studentë përgjatë marshimit. Gjithashtu, organizatorët njoftuan se grupe studentësh të nisur nga Tirana kanë hasur në pengesa të forta ku janë bllokuar në kufi apo kontrolluar në hyrje të Shkupit, duke u detyruar në disa raste të devijojnë itinerarin e tyre. Pavarësisht këtyre ndalesave, të rinjtë deklaruan njëzëri se nuk do të dorëzohen dhe do të vijojnë organizimet deri në zbatimin e plotë të Ligjit për përdorimin e gjuhëve.

RELATED ARTICLES

Most Popular

Recent Comments