Në një nga momentet më emocionale të fjalës së tij për projektin e Zvërnecit, kryeministri Edi Rama u shfaq i prekur, ndërsa zëri herë pas here i dridhej teksa fliste për të ardhmen e Shqipërisë.
Përballë qytetarëve, Rama u ndal te kritikat dhe kundërshtimet që kanë shoqëruar projektin, duke deklaruar se ai është në anën e shqiptarëve dhe se vizioni i tij është që vendi të ecë përpara.
“Unë jam me ju. Si mund të më thoni që nuk jam me ju? Unë dua t’ju udhëheq drejt asaj Shqipërie që e dua po aq sa ju dhe ashtu siç e doni ju”, tha Rama me një ton emocional.
Me zërin që i dridhej dhe me fjalë që prekën shumë prej të pranishmëve, ai shtoi:
“Dua t’ia ngre kokën çdo shqiptari. Dua që fëmijët tanë të jenë krenarë për vendin e tyre. Dua që Shqipëria të mos shihet më si një vend i vogël që mbetet pas, por si një vend që të tjerët e admirojnë dhe e kanë zili.”
Kryeministri e cilësoi projektin e Zvërnecit si një mundësi historike për zhvillimin e vendit, duke theksuar se investime të tilla mund ta transformojnë Shqipërinë në një destinacion të rëndësishëm ndërkombëtar.
“Dua ta bëjmë Shqipërinë një vend që do ta kenë zili të gjithë. Me këtë super projekt mund të tregojmë se jemi të aftë të ndërtojmë të ardhmen që meritojmë. Nuk po e bëjmë për vete, po e bëjmë për Shqipërinë dhe për brezat që do të vijnë pas nesh”, u shpreh ai.
