Tuesday, June 2, 2026
HomeALBMe dorën në zemër dhe zërin që i dridhej nga emocionet, studenti...

Me dorën në zemër dhe zërin që i dridhej nga emocionet, studenti u bëri thirrje të rinjve shqiptarë të ngrihen dhe të reagojnë (Video)

Një moment tepër emocionues është regjistruar gjatë protestës së zhvilluar mbrëmjen e fundit, ku një student mori fjalën para të pranishmëve dhe bëri një thirrje të fortë që po shpërndahet me shpejtësi në rrjetet sociale.

Me dorën në zemër dhe me lot në sy, i riu u shpreh se brezi i tij është përballur prej vitesh me zhgënjim, mungesë shprese dhe detyrimin për të kërkuar një jetë më të mirë larg Shqipërisë. Fjalimi i tij u prit me duartrokitje nga protestuesit, ndërsa shumë qytetarë e kanë cilësuar si një nga momentet më prekëse të mbrëmjes.

“Mos rrini në kafene, dilni protestoni për të drejtat tuaja”, ishte mesazhi që ai përsëriti disa herë para turmës, duke iu drejtuar veçanërisht studentëve dhe të rinjve shqiptarë.

Në fjalën e tij, studenti tha se shumë të rinj ndihen të mashtruar dhe të lënë pas dore, ndërsa shtoi se emigrimi është kthyer në zgjedhjen e vetme për mijëra shqiptarë që nuk shohin perspektivë në vendin e tyre.

“Na kanë shtypur, na kanë mashtruar, na kanë detyruar të largohemi nga vendi ynë. Shokët tanë po ikin çdo ditë. Familjet po ndahen. Shqipëria po zbrazet nga të rinjtë dhe ne nuk mund të vazhdojmë të heshtim”, u shpreh ai mes emocionesh.

Pamjet e publikuara tregojnë momentin kur turma dëgjonte në heshtje fjalët e studentit, ndërsa shumë prej të pranishmëve e mbështetën me duartrokitje dhe thirrje solidariteti.

Videoja ka ngjallur reagime të shumta në rrjetet sociale, ku qytetarë të ndryshëm kanë komentuar mbi mesazhin e tij dhe situatën me të cilën përballen të rinjtë në Shqipëri. Disa e kanë quajtur fjalimin një pasqyrim të realitetit që përjetojnë shumë familje shqiptare, ndërsa të tjerë e kanë vlerësuar si një thirrje për më shumë angazhim qytetar.

Ndërkohë, videoja vazhdon të shpërndahet me ritme të shpejta, duke u kthyer në një nga momentet më të komentuara të protestës.

RELATED ARTICLES

Most Popular

Recent Comments