Gjykata e Lartë ndryshon masën e sigurisë ndaj ish-drejtoreshës së AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj dhe lë në fuqi dy masat e Apelit të GJKKO-së për dy të pandehurit e tjerë, Erjon Ismaili dhe Gëzim Hoxha.
Masa ndaj ish-zyrtares së pandehur nga SPAK është kthyer në detyrim paraqitjeje dhe mosdalje nga shteti, duke iu sekuestruar pasaporta.
Më herët Karçanaj ka qenë me masën arrest shtëpiak të vendosur nga dy shkallët e GJKKO-së, por pas rekursit të palës mbrojtëse u pranua ndryshimi vetëm për ish-drejtoreshën dhe urdhërohet të paraqitet në Policinë Gjyqësore çdo të martë të parë dhe të tretë të muajit.
Ndaj Karçanajt janë ngritur akuzat për “shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” e kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal dhe “grup i strukturuar kriminal”, “kryerje e veprave penale nga organizata kriminale dhe grup i strukturuar kriminal”.
Rekursi u bë më 16 prill në GJL, me relator Genti Shalën. Të pandehur në dosje janë edhe biznesmenët e kërkuar Ergys Agasi dhe Ermal Beqiraj. SPAK u ka sekuestruar edhe 40 mln euro pasuri të dyshuarve, mes tyre miliona euro dyshohet se i përkasin Karçanajt, me llogari bankare dhe vila apo apartamente.
Mirlinda Karçanaj, drejtoresha jetëgjatë e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit dhe personi që ka menaxhuar qindramilionë euro nga taksat e qytetarëve, u mor e pandehur dhe u vendos nën masën e sigurisë arrest shtëpie, bashkë me zëvendësdrejtoreshën Hava Delibashi, masa e kësaj të fundit u ndryshua dhe ndaj sa u caktua masat “detyrim për paraqitje” dhe “ndalim për të dalë jashtë vendit”.
Tre biznesmenë, Andis Papa, Gëzim Hoxha e Rogers Rryta, u lanë në masë të pandryshuar nga Apeli.
Mirlinda Karçanaj, u mor e pandehur për veprën penale të shkeljes së barazisë në tenderë, kryer në formën e bashkëpunimit në kuadër të një grupi kriminal, krahas Ergys Agasit dhe Ermal Beqirit, një biznesmen tjetër fitues i prokurimeve të AKSHI-t, kompania e të cilit SOFT & SOLUTION, pati afro 18 milionë euro të ardhura dhe pothuajse 11 milionë euro fitime në vitin 2024.
Akuzat e SPAK ndaj drejtoreshës së AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj
SPAK ka zbardhur akuzat ndaj drejtoreshës së AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj, zëvendëses së saj, Hava Delibashi dhe zv.drejtorin e policisë së Tiranës, Erjon Ismaili, të dyshuar si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal.
Ndaj Mirlinda Karçanaj, e cila ndodhet nën masën e sigurisë “arrest shtëpie”, janë ngritur akuzat për “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” e kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal dhe “Grup i strukturuar kriminal”, “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale dhe grup i strukturuar kriminal”.
Ndaj Hava Delibashit, e cila më 24 mars u lirua nga arresti i shtepisë, rëndojnë akuzat për “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, e kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal dhe “Grup i strukturuar kriminal”, “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.
Ndërsa zv.drejtori i policisë së Tiranës, Erjon Ismaili, është pezulluar nga detyra.
Prokuroria e Posaçme ka ngritur akuza për kryerjen e veprave penale; “Konkurrencë e paligjshme nëpërmjet dhunës”, e kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit atë të grupit të strukturuar kriminal dhe “Grup i strukturuar kriminal”, “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale dhe grup i strukturuar kriminal”.
Vendimi i Gjykatës së Lartë:
“Lënien në fuqi të vendimit nr. 4 (87-2026-50) datë 05.02.2026 të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar për sa i përket disponimit në lidhje me rekursuesit Erjon Ismaili dhe Gëzim Hoxha.
Ndryshimin e vendimit nr. 4 (87-2026-50) datë 05.02.2026 të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar në lidhje me rekursuesen Mirlinda Karçanaj.
Caktimin e masës së sigurimit “Ndalimi i daljes jashtë shtetit”, parashikuar nga neni 233 i Kodit të Procedurës Penale, duke u urdhëruar personi nën hetim Mirlinda Karçanaj të mos largohet nga territori i Republikës së Shqipërisë pa autorizimin e gjykatës.
Caktimin e masës së sigurimit “Detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” parashikuar nga neni 234 i Kodit të Procedurës Penale, duke u urdhëruar personi nën hetim Mirlinda Karçanaj të paraqitet pranë policisë gjyqësore, të martën e parë dhe të tretë të çdo muaji ora 10:00.
Ngarkohet Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar me ekzekutimin e këtij vendimi”.
