Një lajm i trishtë është mësuar mesditën e kësaj të shtune, pasi ka mbyllur sytë përgjithmonë një nga instrumentistët më të njohur të zonës së jugut, mjeshtri i madh i dasmave Spiro Mastora.
Lajmi i trishtë është mësuar nga reagimi prekës i kryebashkiakut të Gjirokastrës i cili bën me dije se është shuar klarinetisti i mirënjohur i zonës së jugut, Spiro Mastora.
“Përcolla me dhimbje lajmin për ndarjen nga jeta të artistit popullor dhe klarinetistit të mirënjohur Spiro Mastora. Pjesëtar i instrumentistëve virtuoz të familjes gjirokastrite Mastora, me interpretimin plot talent të motiveve popullore Spirua ka lënë gjurmë të pashlyeshme në skenat artistike brenda dhe jashtë vendit. I paharruar” shkruan kryebashkiaku i Gjirokastrës Flamur Golemi.
Spiro Mastora ishte një klarinetist i shquar, pjesëtar i familjes së njohur Mastora në qytetin e Gjirokastrës, që ka shkëlqyer ndër vite në interpretimin me instrumente popullore, me klarinetë e violine ne vecanti, të melodive popullore të Dropullit dhe Gjirokastrës.
Spiro do të mbahet mend për trashëgiminë e vyer dhe të ndritur muzikore, që do të jetojë gjatë në kujtesën e artdashësve.
