Deputetja e Partisë Socialiste, Romina Kuko, hodhi poshtë çdo pretendim se procesi i integrimit ka ngecur
Edhe pse COELA, grupi teknik, i cili shqyrton raportet e Komisionit Europian, ende nuk e ka miratuar raportin për Shqipërinë, Kuko tha se ka ende kohë.
“Ky grup mblidhet çdo javë dhe shqyrton raportin e KE, që në rastin konkret për Shqipërinë ishte pozitiv. Fakti që ende nuk ka një verdikt nuk do të thotë asgjë, vetëm se kemi një proces”, tha Kuko.
“Ka edhe disa mbledhje të tjera dhe deri atëherë duhet të themi vetëm progres pune i vazhdueshëm deri në bindjen e vendeve anëtare, të cilat duhet thënë që janë edhe skeptike brenda vendeve të tyre lidhur me procesin e zgjerimit, nuk ka të bëjë gjithmonë vetëm me progresin e Shqipërisë. Nuk ka stepje, KE është miku ynë në sesnin e ndihmës, por negociatat bëhen me 27 vendet e unionit. Prandaj duhet të merret miratimi i secilit. Ne e dimë që në disa vende, edhe për shkak të dinamikave të brendshme, euroskepticizmit, kundër zgjerimit, e komplikon pak këtë pjesë. Që do të thotë nuk ka probleme vetëm me Shqipërinë, por një vendimmarrje tekniko-politike, do të thosha vetëm politike. Por ajo që vlen është që kemi marrë vlerësim pozitiv nga komisioni Europian për plotësimin e reformave. Sigurisht që do të duhet të plotësojmë kushtet edhe më tej, por jam optimiste që do të mbyllim një pjesë të kapitujve brenda këtij viti”, shtoi ajo.
Kuko tha se nuk është në dijeni që Gjermania është në grupin e shteteve që kanë stepje për progresin e Shqipërisë. “Nuk mund ta them këtë pjesë. Por dimë që ka disa vende në Europë, që për shkak të dinamikave të brendshme politike, mos harrojmë që pjesa më e madhe e Parlamentit Europian i takon forcave të djathta dhe fatkeqësisht forcave të ekstremit të djathtë, të cilat kanë arritur të marrin një përqindje shumë të madhe votash. Besoj që janë dinamikat e brendshme të këtyre shteteve të cilat patjetër që reflektohen edhe në vendimet nëse do të duhet të ketë zgjerim ose jo”, shtoi ajo
