Një kthesë e fortë dhe e papritur ka marrë hetimi për vdekjen e Isaac Andic, themeluesit të gjigantit të modës Mango. Mediat spanjolle raportojnë se djali i tij, Jonathan Andic, është arrestuar dhe po merret në pyetje nga autoritetet katalanase, në kuadër të rihapjes së dosjes për ngjarjen e ndodhur në dhjetor 2024.
Fillimisht, vdekja e biznesmenit u konsiderua një aksident tragjik. Ai humbi jetën pas një rënieje nga një shkëmb në zonën e Montserratit, në Katalonjë. Por me kalimin e kohës, hetimet kanë marrë një drejtim krejt tjetër, duke hapur tashmë mundësinë e një skenari kriminal.
Sipas raportimeve, Isaac Andic ndodhej në një ecje familjare në zonën malore të Montserratit kur ra nga një lartësi prej mbi 100 metrash. Pranë tij ishte djali i tij, Jonathan Andic, i cili ishte edhe personi që njoftoi autoritetet menjëherë pas ngjarjes.
Megjithatë, burime pranë hetimit bëjnë me dije se hetuesit kanë konstatuar mospërputhje në deklaratat e dhëna dhe disa elemente të dyshimta që lidhen edhe me të dhënat e telefonit të viktimës. Këto zhvillime kanë çuar në rihapjen e çështjes në tetor 2025, tashmë si hetim për vrasje të mundshme.
Familja Andic ka deklaruar më herët se beson në pafajësinë e Jonathanit, ndërsa autoritetet gjyqësore po e mbajnë të gjithë procesin nën konfidencialitet të plotë. Aktualisht, Jonathan Andic, i cili mban edhe postin e nënkryetarit të Mango, ndodhet nën hetim zyrtar.
Nga emigrant në një perandori globale mode, Isaac Andic kishte një histori që nisi larg luksit. I lindur në Stamboll në vitin 1953 në një familje hebraike sefardike me origjinë nga Selaniku, ai u vendos në Katalonjë në vitet ’60, ku nisi të shiste këmisha në rrugët e Barcelonës.
Në vitin 1984, së bashku me vëllanë e tij Nachman, themeloi Mango-n, duke e kthyer në një nga markat më të mëdha të modës në botë, me mbi 2,500 dyqane në rreth 110 vende.
I njohur për profil të ulët publik dhe për shmangien e mediave, Andic konsiderohej një nga figurat më të fuqishme të industrisë së modës në Evropë dhe rival i drejtpërdrejtë i Amancio Ortega. Sipas “Forbes”, pasuria e tij vlerësohej rreth 4.5 miliardë dollarë.
