Sipas një zyrtari ushtarak izraelit, Hezbollahu ka lëshuar rreth 200 raketa drejt territorit izraelit dhe forcave të tij gjatë fundjavës, pavarësisht marrëveshjes për armëpushim mes Izraelit dhe Libanit, e cila ishte zgjatur së fundmi për 45 ditë.
Zyrtari e ka cilësuar këtë si shkelje të marrëveshjes së armëpushimit, ndërsa përplasjet në kufi kanë vazhduar edhe pas dakordësisë mes palëve.
Në javët e fundit, sipas të njëjtave burime, janë përdorur gjithnjë e më shpesh edhe dronë të vegjël me kamera FPV nga ana e Hezbollahut, të cilët kanë krijuar vështirësi për mbrojtjen izraelite.
Kryeministri Benjamin Netanyahu ka deklaruar se këto sulme përbëjnë një kërcënim të drejtpërdrejtë dhe se ushtria është duke kërkuar mënyra për t’u përballur me këtë lloj armë të re.
Konflikti në rajon u përshkallëzua pasi Hezbollahu lëshoi raketa drejt Izraelit në fillim të marsit, duke u pasuar nga operacione ushtarake në Libanin jugor dhe sulme të vazhdueshme në zona të ndryshme të vendit.
Sipas autoriteteve libaneze, që nga fillimi i konfliktit kanë humbur jetën mbi 2,900 persona, përfshirë më shumë se 400 që nga fillimi i armëpushimit në prill.
