Momente prekëse dhe tension emocional janë shënuar gjatë vizitës së Presidentit Bajram Begaj në familjen e efektivit të Policisë së Shtetit që humbi jetën tragjikisht në krye të detyrës në Maliq.
Në videon që po qarkullon në rrjetet sociale, familjarët e viktimës shfaqen me lot në sy teksa i drejtohen Presidentit me tone të forta, duke kërkuar përgjigje dhe drejtësi për humbjen e djalit të tyre. Mes dhimbjes dhe revoltës, ata shprehen se ndihen të braktisur nga institucionet dhe kërkojnë që autorët të marrin dënimin e merituar.
“E latë këtë vend në dorë të kriminelëve”, dëgjohet të thotë një nga familjarët, ndërsa Presidenti Begaj shpreh ngushëllimet dhe solidaritetin me familjen në këtë moment të vështirë.
Ngjarja e rëndë në Maliq, ku efektivi humbi jetën gjatë kryerjes së detyrës, ka tronditur opinionin publik dhe ka rikthyer debatin mbi sigurinë e punonjësve të policisë dhe luftën kundër kriminalitetit.
Videoja e takimit ka ngjallur reagime të shumta në rrjet, ku qytetarët shprehin dhimbjen për humbjen e efektivit dhe kërkojnë drejtësi për familjen e tij.
