Kryeministri Edi Rama do të zhvillojë një takim ditën e sotme në Itali, me kryeministren Giorgia Meloni.
Sipas njoftimit zyrtar nga qeveria e Romës, pritja do të zhvillohet në selinë e Kryeministrisë italiane në ‘Palazzo Chigi’. Takimi është planifikuar të nisë në orën 15:00.
Rama njihet për raportin e veçantë me homologen e tij italiane Georgia Meloni. Dy liderët vazhdojnë që të bashkëpunojnë në fusha të ndryshme, në interes të të dyja vendeve.
Në nëntor të vitit të kaluar u mbajt një takim mes qeverisë së Shqipërisë dhe Italisë. Si Meloni, ashtu edhe Rama e konsideruan bashkëpunimin mes palëve si historik.
Në atë kohë, Tirana dhe Roma zyrtare nënshkruan plot 16 marrëveshje të përbashkëta bashkëpunimi në disa fusha si mbrojtja, shëndetësia, siguria e infrastruktura.
