Një dëshmi tronditëse dhe e pabesueshme është zbardhur gazetari Bledian Koka në studion e emisionit “Ora e Betit” në “Ora News” të moderuar nga gazetarja Beti Njuma, lidhur me pronësinë e një apartamenti dupleks me vlerë 100 mijë euro në një nga zonat elitare të Qerretit.
Koka tha se personi i regjistruar si pronar ligjor i pasurisë ka deklaruar para hetuesve se nuk ka asnjë dijeni për blerjen, duke pretenduar se nuk e ka parë kurrë pronën dhe madje nuk ka qenë asnjëherë në atë zonë.
Sipas dëshmisë së tij, ai ka firmosur një kontratë për një banesë rreth 100 metra katrorë, por nuk mban mend asnjë detaj thelbësor.
Nuk e di as kush është noteri dhe as kush është shitësja dhe as se si e gjeta këtë banesë. As nuk kam qenë kurrë në këtë shtëpi dhe as nuk kam qenë asnjëherë në jetën time as në Durrës, jo më në Qerret”, ka deklaruar ai.
Kjo deklaratë ngre dyshime të forta se personi në fjalë është përdorur si një maskë për të fshehur pronarin e vërtetë, që dyshohet se është një zyrtare e lartë.
Pyetjet nga Koka bëhen edhe më të thella kur bëhet fjalë për financimin e blerjes. Pronari në letra ka shpjeguar se shuma prej 100,000 eurosh i është dhënë borxh nga një shtetas me emrin Sokol Parllaku.
“Lekët për ta blerë këtë shtëpi m’i ka dhënë shtetasi Sokol Parllaku borxh. Mbaj mend që m’i ka dhënë në kesh dhe unë i kam derdhur në bankë, por nuk mbaj mend detaje të tjera”, ka shtuar ai.
Mungesa totale e kujtesës për një transaksion kaq të rëndësishëm, nga emri i noterit e shitësit deri te rrethanat e blerjes, ka lënë hetuesit përballë një skeme të mirëfilltë të fshehjes së pasurisë.
Rasti nxjerr në pah një metodë ku individë, shpesh në vështirësi ekonomike, përdoren si pronarë fiktivë për pasuri me vlerë të konsiderueshme, origjina e të cilave mbetet e dyshimtë.
