Deputeti i Bundestagut gjerman nga CDU, Peter Beyer ka bërë një deklaratë ditën e sotme gjatë Kuvendit Kombëtar të Partisë Demokratike, përmes një video-mesazhi online
Mirëpo kjo nuk qe një deklaratë fort e zakontë, pasi ka tërhequr vëmendje kudo në rrjet, pasi dukshëm ai foli për një riorganizim të ri në drejtimin e partisë. Duke thënë se do të kenë një bord të ri, kryetar dhe president të ri, për të cilët ai tha se ka disa ide se kush mund të jetë por nuk do të fliste.
“Ju keni një kongres shumë të rëndësishëm partiak. Merrni vendime të mëdha, zgjidhni një bord të ri, një kryetar të ri, një president të ri. Kam disa ide se kush mund të jetë, por do ta mbaj gojën mbyllur. Shqipëria juaj përballet me një sfidë shumë të madhe, rrugën drejt Bashkimit Europian. Ju jeni aktualisht opozita më e rëndësishme dhe pritshmëritë nga CDU dhe Europa janë shumë të larta. Nuk ka kohë për konflikte të brendshme, por vetëm për fokus te integrimi europian.Tani është koha për bashkim për një qëllim të vetëm, integrimin e vendit në BE”, u shpreh Beyer.
Teksa më tej shtoi se megjithëse se nuk mund të ishte fizikisht i pranishëm në kongres për shkak të angazhimeve të tjera, ai ndihet pranë demokratëve dhe ndjek me interes zhvillimet brenda partisë. Duke thënë se ai dhe partia e tij kanë pritshmëri të larta për Partinë Demokratike dhe rolin e saj në procesin e integrimit europian të Shqipërisë ndërsa sipas tij, ky është një moment i rëndësishëm për bashkim dhe përqendrim te një objektiv i vetëm.
Deklarata ka tërhequr vëmendje pasi vjen vetëm pak ditë pasi Sali Berisha është rizgjedhur në krye të Partisë Demokratike. Kjo ka ngritur pikëpyetje nëse bëhej fjalë për një lapsus apo për një mesazh me nëntekst politik
