Gjykata e Durrësit ka vendosur masën e sigurisë “arrest me burg” për Nikoll Radaçin, 57-vjeçarin e akuzuar për aksidentin tragjik të ndodhur më 3 maj në Durrës, ku humbën jetën dy të mitur dhe u plagos një tjetër fëmijë.
Vendimi është dhënë këtë të martë, ndërsa Radaçi është paraqitur para togave të zeza nën masa të rrepta sigurie.
Avokatja e caktuar kryesisht nga shteti për mbrojtjen e 57-vjeçarit bëri me dije për mediat se i pandehuri është paraqitur i penduar për ngjarjen, ndërkohë që përgjatë gjithë seancës nuk ka dhënë asnjë deklaratë. Sipas saj, Radaçi përballet me tre akuza dhe ka shprehur pendesë për atë që ka ndodhur.
“I pandehuri nuk foli fare. Dukej në gjendje të rënduar psikologjike. Unë isha ftuar nga shteti që ta mbroja pasi nuk kishte avokat të zgjedhur. Mbi të rëndojnë tre akuza. Ndihet i penduar, ka shprehur pendesë”, u shpreh avokatja e vendosur nga shteti.
Ngjarja e rëndë u regjistrua mesditën e 3 majit në lagjen nr. 15 të Durrësit. Tre fëmijë po luanin me top në trotuar, kur Radaçi, i cili po drejtonte automjetin në gjendje të dehur, i përplasi me shpejtësi skëterrë.
Si pasojë e goditjes fatale, Enea Muçaj, 12 vjeç, dhe Kleis Nikolli, ndërruan jetë në vend, ndërsa fëmija tjetër, 8 vjeç, arriti të mbijetojë por aktualisht ndodhet në Spitalin e Traumës duke marrë ndihmën e nevojshme mjekësore
Sipas të dhënave, rezulton se drejtuesi i mjetit kishte pasur edhe më herët probleme me shkeljet rrugore. Katër vite më parë, atij i ishte pezulluar patenta vetëm për një muaj për tejkalim shpejtësie, ndonëse sipas Kodit Rrugor masa duhej të ishte të paktën tetë muaj.
