39-vjeçari Kreshnik Mujeci dhe bashkëshortja e tij mbetën viktima të një atentati ditën e sotme, në Balldre të Lezhës.
Mujeci rezulton të ketë qenë një prej mbështetësve më të spikatur të banorëve të Rrjollit, të cilët prej disa muajsh po protestojnë kundër ndërtimit të një resorti në tokat e tyre.
Në një video që po qarkullon në rrjetet sociale, Mujeci duket duke bërë thirrje që sa më shumë qytetarë të protestojnë krah banorëve të Rrjollit, në mbrojtje të tokave të tyre, për të cilat pretendojnë se po uzurpohen padrejtësisht nga biznesmeni Ulaj.
“Amanet o gjaku i shqiptarit, mos t’i lëmë këta këlyshë të luajnë kufijtë e të parit. Të mbetet histori djalë pas djali. Mbani mend çfarë po ju thotë malësori i Kelmendit”,- shprehej në një video Mujeci.
