Në një intervistë të fundit për emisionin “Andale”, ish-konkurrenti i “Ferma VIP”, Adion Puka, ka hedhur dritë mbi marrëdhënien e tij të shumëpërfolur me Olën pas daljes nga shtëpia.
Ai ka treguar se ndjenjat e tyre janë të vërteta dhe se ka ndërmend të vazhdojë njohjen me të jashtë programit.
Kujtojmë se një nga momentet më të komentuara të atij spektakli ishte pikërisht çasti i eliminimit. Në momentin kur Adionit iu lexua emri si i larguari i radhës nga ferma, ai surprizoi të gjithë duke puthur Olën për herë të parë në buzë, një veprim ky që vulosi hapur pëlqimin e tyre dhe i dha një drejtim tjetër raportit të tyre përpara publikut.
Gjatë intervistës, Adioni u pyet nëse ka patur kontakt me familjarët e Olës dhe cila ka qenë qasja e tyre pas kësaj puthjeje të famshme.
Ai theksoi se ka biseduar me ta dhe, mesa la të kuptohet, nuk e kanë pritur keq.
“Kam folur me ta, po…Kanë folur edhe familjarët e mi para meje,” – theksoi Adioni, duke lënë të kuptohet se ka marrë një lloj “miratimi” për të vazhduar marrëdhënien.
Kjo deklaratë vjen në një moment të papritur, pasi vetëm pak kohë më parë, gjatë një vizite surprizë në shtëpi, vëllai i Olës kishte shprehur hapur pakënaqësinë e tij.
Ai ishte treguar mjaft i ashpër, duke i thënë motrës së tij se ishte kategorikisht kundër një lidhjeje të saj me Adionin dhe e kishte kritikuar duke i thënë se nuk po respektonte veten me atë lloj sjelljeje brenda formatit.
Tashmë, me daljen e Adionit, duket se situata ka ndryshuar dhe familja e Olës ka treguar një qasje më të butë.
Kur u pyet nëse ka një shans për të vazhduar jashtë kjo marrëdhënie, Adioni u përgjigj prerë: “Po si jo, Ola është shpirt.”
