Vlera e koncesionit sipas publikimit të procedurës ishte 364 milionë euro pa TVSH për një kohëzgjatje kontrate 35 vjet…
Një nga projektet më të rëndësishme infrastrukturore në veri të vendit, pjesë e korridorit Adriatiko-Jonian, do të realizohet nga kompania Salillari, e cila u shpall fituese e tenderit për ndërtimin e aksit Milot-Balldren. Në këtë mënyrë një nga segmentet rrugore ku kilometri do të kushtojë 21.4 milionë euro pa tvsh i besohet një prej kompanive të ‘preferuara’ të Kryeministrit Edi Rama.
“Shpallja e fituesit bën të mundur që më në fund të nisë realizimi i kësaj vepre infrastrukturore, e cila do të përmirësojë ndjeshëm lëvizjen e automjeteve dhe lidhjen e zonave veriore me pjesën tjetër të vendit”, u shpreh ministri i Infrastrukturës, Enea Karakaçi, i cili dha njoftimin për shpalljen e kompanisë fituese.
Gjurma e propozuar e rrugës “Milot-Balldre” ka një gjatësi prej 17 km dhe fillon në nyjën e Milotit, ku do të lidhet me segmentin Milot-Thumanë-Kashar-Lekaj dhe me Rrugën e Kombit, dhe do të përfundojë në rrugën ekzistuese Tiranë –Shkodër, në Balldre.
Vlera e koncesionit sipas publikimit të procedurës ishte 364 milionë euro pa TVSH për një kohëzgjatje kontrate 35 vjet.
“Gjurma e propozuar e rrugës “Milot-Balldre” fillon në nyjen e Milotit, ku do të lidhet me segmentet e tjera rrugore Milot-Thumanë-Kashar-Lekaj dhe me Rrugën e Kombit, dhe do të përfundojë në rrugën ekzistuese Tiranë –Shkodër, në Balldre”, thuhej në dokumentin e MIE për shpalljen e tenderit
Ministri Karakaçi tha se përzgjedhja e kompanisë fituese nuk ka qenë e lehtë, pasi disa përpjekje të mëparshme për realizimin e projektit nuk kanë rezultuar të suksesshme. Ai tha se institucionet do të angazhohen për nisjen sa më të shpejtë të punimeve, me synim përfundimin e projektit sipas afateve të parashikuara.
Referuar dokumenteve zyrtare të shpalljes së tenderit, segmenti ekzistues i rrugës që shërben për drejtimin nga Miloti në Balldre dhe zonat përreth, është me dy drejtime (vajtje-ardhje). Rruga ekzistuesr ka një gjatësi më të madhe nga propozimi i ri, parametra teknik të lëvizjes në këtë rrugë janë të një niveli shumë të ulët.
“Sipas parashikimit të kërkesës së trafikut, kapaciteti do të tejkalohet së shpejti, duke rritur numrin e automjeteve në qarkullim, duke sjell pamundësinë e përballimit te këtij kapaciteti nga rruga ekzistuese. Autostrada e re do të shtrihet nga Miloti në Balldre, si vazhdim i autostradës Kashar-ThumanëMilot, duke përmirësuar këtë pjesë nga rrugë kategoria “C” në autostradë të kategorisë “A”.
Ky aks do të ketë një karrexhatë dyfishe me nga dy korsi, me një ndarëse korsish dhe korsi të emergjencës, bankine, tunel me dy tuba, vepra arti të mëdha mbi lumin Mat dhe lumin Drin, vepra arti të vogla, rrugët paralele të kategisë F2, nyjet në disnivel bashkë me rrugët lidhëse, rrugë alternative pa pagesë të kategorisë “C” në një distancë jo më pak se 1 km nga aksi kryesor, si dhe operimin dhe mirëmbajtjen e Infrastrukturës së Operimit përfshirë kabinat, sistemin e portave të automatizuara për lejimin e hyrje daljeve në Rrugë, sensorët e trafikut dhe elementet e tjera matëse, sistemin elektronik për mbledhjen e Tarifave dhe të monitorimit të trafikut, serverat e nevojshëm për mbajtjen dhe përpunimin e të dhënave të trafikut dhe të arkëtimeve përkatëse, si dhe çdo element tjetër të nevojshëm për realizimin e shërbimit të mundësimit të aksesit në Rrugë të Përdoruesve, arkëtimin e Tarifës, kontrollin e trafikut dhe ofrimin e ndihmës për Përdoruesit, parandalimin e shkeljeve, duke përfshirë reagimin në rast ndërhyrjesh urgjente”, thuhet në dokumentat e shpalljes së tenderit.
Autostrada pritet të reduktojë ndjeshëm kohën e udhëtimit drejt Lezhës, Shkodrës dhe Malit të Zi, të rrisë sigurinë rrugore dhe të mbështesë zhvillimin ekonomik të zonës. Sipas planifikimeve të qeverisë, Milot–Balldren është një nga hallkat kryesore për përfundimin e Korridorit Blu, një projekt që synon të transformojë lidhjet rrugore të Shqipërisë me rajonin dhe Bashkimin Europian.
