Në studion e emisionit “Ora e Betit” në Ora News ishte i ftuar aktori dhe aktivisti Florjan Binaj, i cili foli për projektin që parashikon ndërtimin e një resorti turistik në zonën e mbrojtur të deltës së Vjosës.
Ai ngriti shqetësimin se projekti prek një nga ekosistemet më të veçanta në Europë dhe rrezikon ndryshimin e një zone që, sipas tij, duhet të ruhet në gjendjen e saj natyrore.
Po ndërtohet në një zonë të mbrojtur që është pjesë e deltës së Vjosës. Ky sistem është ndër më të rrallët në Europë dhe nuk mund të zëvendësohet. Janë laguna, duna dhe monumente natyrore që janë formuar për miliona vite.”-tha ai.
Gjatë diskutimit, ai tha se modeli i propozuar për resortin nuk ndryshon nga ndërtimet e zakonshme turistike dhe se, sipas tij, mund të realizohej në zona të tjera pa prekur ekosistemin.
“Pamjet e projektit janë të njëjta me çdo resort tjetër. Dhoma, pishina, fusha tenisi. Këto mund të ndërtohen kudo tjetër në Shqipëri, jo në një zonë të tillë të ndjeshme.”-u shpreh Binaj.
Në fund të diskutimit u ngrit ideja se zhvillimi turistik duhet të orientohet drejt zonave të degraduara ose më pak të mbrojtura, duke shmangur ndërhyrjet në hapësira natyrore me vlera të rralla ekologjike.
