Një grua ka ndarë historinë e saj të dhimbshme, por edhe frymëzuese, duke treguar se si arriti të shpëtojë familjen e saj pas viteve të vështira, tradhtive dhe zhgënjimeve.
Ajo rrëfen se u martua shumë e re me dashurinë e saj të shkollës, por sapo hyri në familjen e bashkëshortit, u përball me paragjykime dhe mungesë pranimi nga vjehrra.
“Për 12 vite jetuam nën të njëjtën çati. Ishin vite të rënda, por i durova të gjitha”, shkruan ajo.
Më vonë familja u transferua në Itali me shpresën për një fillim të ri, por aty nisi një periudhë edhe më e vështirë. Sipas saj, bashkëshorti filloi ta tradhtonte vazhdimisht.
“E dija, e kuptoja, e ndjeja. Por nuk doja të ndahesha. Qëndrova për fëmijët e mi dhe për jetën që kisha ndërtuar”, tregon gruaja.
Për vite me radhë ata jetuan në të njëjtën shtëpi si të huaj. Ajo kujdesej për gjithçka, ndërsa marrëdhënia mes tyre ishte pothuajse e shuar.
Gjithçka ndryshoi kur burri i saj pësoi një aksident të rëndë automobilistik dhe përfundoi për muaj të tërë në spital me disa brinjë të thyera, hundën dhe këmbën e dëmtuar.
“Kur shkova ta shihja, e pyeta: ‘Po ajo, a s’erdhi me t’bë hyzmet?’ Sytë iu mbushën me lot”, kujton ajo.
Pak kohë më vonë, gruaja mësoi se personi për të cilin ai kishte sakrifikuar familjen nuk ishte interesuar fare për gjendjen e tij dhe madje kishte ndryshuar edhe numrin e telefonit.
Kur doli nga spitali, bashkëshorti u kthye tek ajo.
“Erdhi duke qarë. U ul në gjunjë dhe më kërkoi falje. Unë nuk kisha më as inat, as urrejtje. Kisha vetëm qetësi.”
Sot çifti vazhdon të jetë bashkë dhe pret me gëzim të bëhet gjysh.
Në fund të rrëfimit të saj, gruaja jep një mesazh për të gjitha familjet:
“Luftoni për familjen tuaj, por mos e humbni veten. Ne gratë jemi më të forta sesa mendojmë. Kur duam diçka, dimë ta mbajmë, ta ndreqim dhe ta shpëtojmë.”
