Edhe influencerja dhe ish-banorja e njohur e Big Brother VIP, Selin Bollati, ka reaguar publikisht për situatën e krijuar në Zvërnec dhe përplasjet e fundit mes banorëve dhe forcave të sigurisë.
Përmes një postimi në InstaStory, Selin ka shprehur shqetësimin e saj për ngjarjet e ndodhura, duke dënuar dhunën dhe duke kërkuar më shumë respekt për qytetarët. Ajo e cilëson të dhimbshme atë që ka ndodhur, ndërsa thekson se askush nuk duhet të ndihet i pambrojtur në vendin e tij.

“Heshtje mediatike, dhunë fizike, dhunë verbale, vjedhje e pasurive dhe e tokave tona. Mjaft më me padrejtësi të këtij lloji”, shkruan Selin në reagimin e saj.
Më tej, ajo shprehet se është e trishtueshme të shohësh skena të tilla, ndërsa ngre pyetje mbi drejtimin që po merr shoqëria shqiptare. Sipas saj, problemet e vërteta po mbeten pa zgjidhje, ndërsa energjia dhe forca po përdoren kundër qytetarëve që kërkojnë të mbrojnë të drejtat e tyre.
Në fund të mesazhit, Selin Bollati bën thirrje për më shumë respekt dhe drejtësi, duke e mbyllur reagimin me fjalët: “Heshtja përballë padrejtësisë nuk është zgjidhje. TURP!”
Reagimi i saj vjen pasi edhe disa figura të tjera publike kanë komentuar zhvillimet në Zvërnec, një çështje që vazhdon të ndezë debat të fortë në opinionin publik dhe rrjetet sociale.
