Sunday, May 31, 2026
HomeALBSPAK kërkon 56 vite burg për 5 të pandehur, mes tyre vëllai...

SPAK kërkon 56 vite burg për 5 të pandehur, mes tyre vëllai i ish deputetit të PS-së

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka paraqitur konkluzionet përfundimtare në Gjykatën e Posaçme (GJKKO) për një prej fraksioneve të dosjes së bujshme “Revanshi”, duke kërkuar në total 56 vite burg për pesë të pandehur të akuzuar për pjesëmarrje në grup kriminal, kultivim të lëndëve narkotike, armëmbajtje pa leje dhe sigurim kushtesh për kryerjen e vrasjeve. Sipas pretencës, për Armando Ndrecën, vëllain e ish-deputetit socialist Eduard Ndreca, është kërkuar dënimi me 15 vite burg, që për shkak të gjykimit të shkurtuar zbret në 10 vite. Për Elvis Ndrecën, djalin e xhaxhait të ish-deputetit, është kërkuar dënimi me 9 vite burg, i reduktuar në 6 vite. Ndërsa për ish-efektivin e RENEA-s, Adrian Pikli, SPAK kërkon 10.6 vite burg, që zbresin në 7 vite, për Edison Muçekun 9 vite burg që reduktohen në 6 vite dhe për Deivis Bajramajn 12 vite burg që me gjykim të shkurtuar zbresin në 8 vite. Dosja ndaj Albert Zajës është veçuar dhe po shqyrtohet më vete.

Sipas SPAK, hetimet kanë provuar një sërë aktivitetesh kriminale të zhvilluara gjatë viteve 2020-2021. Organi i akuzës pretendon se më 4 nëntor 2020, në Urën e Tapizës në Fushë-Krujë, Albert Zaja dhe persona të tjerë tentuan të vrisnin me armë zjarri Durim Bamin dhe Ervin Kodrën. Gjithashtu, gjatë periudhës maj-korrik 2020, Albert Zaja dhe Edison Muçeku siguruan mjetet për eliminimin e Hamza Terziut, ndërsa në korrik-gusht 2020, Elvis Ndreca dyshohet se siguroi kushtet për vrasjen e Durim Bamit. SPAK pretendon se në tetor 2020, Armando Ndreca organizoi dhe financoi një grup kriminal që prodhoi dhe trafikoi 243 kilogramë kanabis në Lezhë, ndërsa gjatë viteve 2020-2021, Deivis Bajramaj dhe Adrian Pikli u përfshinë në tregtinë e paligjshme të armëve dhe municioneve, duke furnizuar edhe persona me precedentë kriminalë.

Dosja “Revanshi” konsiderohet një nga operacionet më të mëdha të SPAK kundër krimit të organizuar. Në maj 2024, Prokuroria e Posaçme njoftoi goditjen e shtatë grupeve të strukturuara kriminale dhe lëshimin e 50 urdhër-arresteve për drejtues dhe anëtarë të tyre. Sipas hetimeve, në qendër të përplasjes kriminale qëndronin grupi i të shumëkërkuarit Ervis Martinaj, në aleancë me grupin e ish-deputetit Arben Ndoka në Lezhë, dhe grupi i Durim Bamit në Fushë-Krujë, i cili kishte krijuar aleancë me grupin e Leonard Dukës dhe Fatmir Hysenit për të goditur kundërshtarët. Në hetime janë përfshirë gjithashtu emra të njohur të botës së krimit si Emiljano Shullazi, Astrit Avdyli, Edison Reçi, si dhe ish-zyrtarë e punonjës policie, mes tyre ish-drejtori i Policisë së Lezhës, Henerigert Mitri, efektivët e RENEA-s Altin Morina dhe Adrian Pikli. Sipas SPAK, Mitri dhe ish-punonjësi i policisë kufitare Klodjan Shahini drejtonin aktivitete të kultivimit të narkotikëve në Lezhë, ndërsa së bashku me Preng Gjinin dyshohet se organizonin aktivitetin e paligjshëm të lojërave të fatit.

Gjatë operacionit u sekuestruan pasuri me vlerë rreth 4.5 milionë euro, përfshirë automjete luksoze të blinduara, armë zjarri, municione, bizhuteri, ora të shtrenjta, sisteme vëzhgimi dhe miliona euro cash. Vetëm në banesën e Ervis Doçit, i njohur si “Visi i Pojës”, u gjetën rreth 3 milionë euro. Operacioni çoi në arrestimin e 20 personave, 14 në Shqipëri dhe 6 jashtë vendit, ndërsa lista e plotë e urdhër-arresteve përfshinte emra si Arben Ndoka, Arian Tuku, Ilia Ndoka, Samuel Ndoka, Vinçens Tuku, Ervis Martinaj, Jozi Kraja, Astrit Avdyli, Aldo Avdyli, Miri Bruli, Naim Stafuka, Emiljano Shullazi, Blerim Abazi, Elvis Ndreca, Oltion Zefi, Armando Ndreca, Kasandër Noga, Elson Reçi, Besian Xhixha, Enver Diva, Fatmir Troplini, Gjergji Cukali, Kristos Teta, Denis Meta, Marklen Haka, Leonard Duka, Fatmir Hyseni, Durim Bami dhe dhjetëra persona të tjerë të konsideruar nga SPAK pjesë e rrjeteve më të fuqishme kriminale që vepronin në Shqipëri dhe jashtë saj.

RELATED ARTICLES

Most Popular

Recent Comments