Kryeministri Edi Rama ka reaguar ndaj debateve dhe protestave që kanë shpërthyer së fundmi për projektet turistike të parashikuara në Zvërnec dhe në ishullin e Sazanit.
Gjatë fjalës së mbajtur në prezantimin e kompanisë së teknologjisë “Albanian Digital Solution”, Rama i cilësoi si të pavërteta pretendimet se shteti shqiptar po fal prona publike në zonën e Zvërnecit.
Sipas kreut të qeverisë, toka për të cilën është ngritur polemika nuk është pronë shtetërore, por private prej shumë vitesh. Ai theksoi se investitorët e përfshirë në projekt nuk kanë përfituar pasurinë nga shteti, por e kanë marrë atë nga pronarë privatë.
Rama deklaroi se shteti shqiptar nuk zotëron asnjë pronë në pjesën e projektit që lidhet me Zvërnecin, ndërsa sqaroi se situata është ndryshe në rastin e ishullit të Sazanit, ku shteti ka ende rol dhe përfshirje direkte përmes Korporatës Shqiptare të Investimeve.
Kryeministri bëri me dije se negociatat për projektin në Sazan nuk kanë përfunduar ende dhe se shteti shqiptar do të jetë pjesë e këtij investimi. Ai insistoi se procesi po ndiqet në mënyrë institucionale dhe në bashkëpunim me investitorët.
Megjithatë, kryeministri i hodhi poshtë këto akuza, duke i konsideruar si lajme të rreme dhe duke këmbëngulur se projekti në Zvërnec nuk përfshin dhënie apo falje të pronave shtetërore.
