Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural (AZHBR) ka zbardhur detajet e Skemës Kombëtare 2026 për mbështetjen e blegtorisë, me fokus tufën bazë të matrikulluar të të imtave (dele dhe dhi).
Sipas njoftimit zyrtar, këtë vit mbështetja financiare nis për fermat që disponojnë të paktën 50 krerë të matrikulluar.
Vlera e financimit për fermerët është:
• 1,500 lekë për krerë për fermat me 50 deri në 300 krerë
• 50% financim mbi tavanin për fermat që tejkalojnë 300 krerë
• 100% mbështetje për Shoqëritë e Bashkëpunimit Bujqësor
AZHBR bën me dije se aplikuesit mund të konsultojnë udhëzimin e plotë të publikuar në faqen zyrtare, ku janë të detajuara kriteret dhe procedurat e përfitimit.
Gjithashtu, fermerët mund të marrin asistencë pranë Agropikave dhe Agjencive Rajonale të Ekstensionit Bujqësor, ndërsa për informacion shtesë është vënë në dispozicion edhe numri i kontaktit 0800 83 83.
AZHBR bën të ditur se, skema synon të rrisë mbështetjen për fermat blegtorale dhe të forcojë prodhimin vendas përmes formalizimit dhe zgjerimit të tufave të matrikulluara.
