Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, i cili nuk arriti të kandidonte për drejtimin e së djathtës shqiptare pasi, sipas statutit të kësaj force politike, rezulton i “vetëpërjashtuar” dhe jo anëtar i PD-së, ka reaguar lidhur me procesin zgjedhor në të cilin Sali Berisha është duke kandiduar me “veten”.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Salianji publikoi foto të fletëve të votimit, ku demokratë nga degë të ndryshme të vendit kanë shkruar emrin e tij, në shenjë kundërshtimi ndaj procesit që ai e konsideron një farsë.
“Falenderim edhe për mijëra demokratë të tjerë që e kanë braktisur dhe përbuzur farsën e uzurpimit të Partisë Demokratike për interesa personale. Kur gara vritet, kur alternativa përjashtohet dhe kur vula përdoret për të mbajtur peng opozitën, demokratët dinë të reagojnë me dinjitet. Këto mesazhe janë më shumë se mbështetje personale. Janë një refuzim i frikës, i imponimit dhe i shndërrimit të PD-së në një strehë për interesa personale”, shkruan ai.
Salianji falënderon gjithashtu edhe demokratët që, sipas tij kanë bojkotuar procesin, të cilin e cilëson si një “farsë të uzurpimit të Partisë Demokratike për interesa personale”. Ndër të tjera, ish-deputeti demorkat shprehet i bindur se Partia Demokratike do t’u rikthehet anëtarëve dhe qytetarëve, teksa shton se “kjo fardë do të çmontohet me kurajo dhe demokratë të lirë”.




