Procesi i votimit për kryetarin e Partisë Demokratike në degën e Fierit po vijon normalisht, ndërsa demokratët i janë drejtuar që në orët e para të mëngjesit selisë së PD-së për të dhënë votën e tyre. Në garë është vetëm kryetari aktual, Sali Berisha, dhe procesi po konsiderohet si një votëbesim për drejtimin e tij në krye të partisë.
Mes mbështetësve që morën pjesë në votim, spikati deklarata emocionale e një anëtari demokrat nga Fieri, i cili shprehu hapur besimin dhe mbështetjen e tij për Berishën.
“Jam këtu për të votuar për kryetarin e Partisë Demokratike. Unë jam anëtar i PD dhe mendoj se po ndjek një rrugë të drejtë. Kur erdhi Berisha tha se vdekja është ligj për të gjithë, por ishalla mos vdeksha derisa të shoh Saliun lart e më lart. Ai mundohet për më mirë për popullin”, u shpreh një anëtar i PD-së në Fier.
Votimi pritet të mbyllet në orën 18:00, ndërsa më pas do të nisë procesi i numërimit të votave në degët ku është zhvilluar zgjedhja për kryetarin e Partisë Demokratike.
