Wednesday, May 20, 2026
HomeALBI doli foto te dosja e “Bajrave”/ Kush është Mikel Kodra, i...

I doli foto te dosja e “Bajrave”/ Kush është Mikel Kodra, i paidentifikuar nga SPAK, telefoni i Sakicës e ‘zhyti‘

Përfshirja e emrave nga radhët e policisë në dosje që lidhen me personazhe të botës së krimit vijon të ngrejë pikëpyetje të forta mbi infiltrimin e elementëve të dyshimtë në strukturat e sigurisë.

Këtë herë, detaje të reja dalin nga dosja e bujshme e “Bajrave”, ku hetimet duket se po nxjerrin në sipërfaqe lidhje që shkojnë përtej botës kriminale.

Gjithçka ka marrë një kthesë pas sekuestrimit të telefonit celular të Izmir Sakicës, ku sipas materialeve hetimore janë gjetur foto dhe video që tregojnë armë të kalibrave të ndryshëm, si dhe filmime të personave të ndryshëm duke kryer qitje me armë zjarri.

Por ajo që ka tërhequr vëmendjen e hetuesve është një person i përmendur fillimisht në dosje si “i paidentifikuar”. Sipas raportimeve mediatike, bëhet fjalë për Mikel Kodrën, oficer i Patrullës së Përgjithshme në Malësinë e Madhe.

Emri i tij ngre edhe më shumë dyshime pasi mësohet se ai është nip i Prek Kodrës, emër i njohur për drejtësinë shqiptare. Pas identifikimit, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore thuhet se e ka thirrur për sqarime, por sipas informacioneve ai nuk është paraqitur. Ndërkohë, kontrollet e zhvilluara në banesën e tij nuk kanë dhënë rezultat, pasi ai nuk është gjetur.

Raportimet tregojnë se pas publikimit të dosjes dhe daljes së fotove ku ai shfaqet pranë Izmir Sakicës, Mikel Kodra nuk është paraqitur më në detyrë si oficer në Malësinë e Madhe. Po ashtu, sipas burimeve, ai ka fikur edhe telefonin celular, duke shtuar më tej misterin rreth vendndodhjes së tij.

Nga ana tjetër, edhe Prek Kodra vijon të jetë në kërkim. Ai njihet si “snajperisti” i grupit të Suel Çelës, i dyshuar për përfshirje në planet për eliminimin e Ardjan Çapjas.

Ndërkohë, për rastin ka nisur një hetim që po ndiqet nga Prokuroria e Posaçme, e cila pritet të hedhë më shumë dritë mbi rolin e secilit person të përfshirë në këtë histori.

RELATED ARTICLES

Most Popular

Recent Comments