Një 46-vjeçar me origjinë shqiptare ka humbur jetën tragjikisht gjatë punës në një kantier ndërtimi në zonën e Shpatit, në Janinë të Greqisë.
Sipas mediave greke, viktima, baba i dy fëmijëve, ishte duke punuar në një projekt për ndërtimin e rrjetit të ujërave të zeza, kur një masë dheu u shemb papritur dhe e zuri poshtë.
Menjëherë në vendngjarje mbërritën ekipet e shpëtimit dhe ambulanca e EKAB-së. Mjekët tentuan ta rikthenin në jetë përmes manovrave të reanimimit (CPR), por fatkeqësisht 46-vjeçari nuk arriti të mbijetojë.
Pas ngjarjes, policia greke ka arrestuar përgjegjësin e kantierit të ndërtimit, ndërsa autoritetet kanë nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e plota të aksidentit.
Në vendin e ngjarjes shkoi edhe një ekip i Inspektoratit të Punës në Janinë, i cili po heton shkaqet e aksidentit dhe përgjegjësitë përkatëse.
