Detaje të reja janë mësuar nga kontrolli i befasishëm i zhvilluar mëngjesin e kësaj të premte në ambientet e Burgut të Durrësit, ku dhe në godinën B u konstatua dhe sekuestrua një aparat celular, tip “iPhone 17 Pro Max”, së bashku me një karikues dhe një fishë lidhëse të improvizuar.
Burime pranë strukturave hetimore bëjnë me dije se telefoni dyshohet t’i përkasë të burgosurit Klevis Hoxhosmani, megjithatë autoritetet nuk kanë dhënë ende një konfirmim zyrtar përfundimtar mbi pronësinë e pajisjes së sekuestruar.
Klevis Hoxhosmani është një emër i njohur në hetimet e autoriteteve shqiptare dhe ndërkombëtare, i cili u arrestua me urdhër të SPAK nën dyshimet për përfshirje në trafik droge. Ai rezulton të ketë qenë pjesë e një dosjeje të gjerë hetimore që lidhet me trafikun e kokainës nga Amerika Latine drejt Europës dhe Mbretërisë së Bashkuar.
Sipas të dhënave hetimore, Hoxhosmani dhe vëllai i tij, Arturi, dyshohen si pjesë e një rrjeti të strukturuar kriminal, i cili operonte në disa shtete dhe kishte lidhje të dyshuara me grupe të njohura të botës së krimit të organizuar. Në kuadër të hetimeve, SPAK ka sekuestruar një sasi prej rreth 250 kilogramësh kokainë në një operacion të mëparshëm, e cila dyshohet se ishte pjesë e një ngarkese më të madhe që synonte tregjet e Europës Perëndimore.
Në aspektin e aktivitetit ekonomik, Hoxhosmani rezulton të ketë pasur më herët lidhje me disa biznese në Britaninë e Madhe. Ai ka qenë pronar i një lavazhi makinash me emrin “Crystal Hand Carëash Of Bournemouth Limited”, i cili ka operuar në periudhën 2013–2015. Gjithashtu, ai ka figuruar si drejtor i kompanisë “Barrack Road Tyres Limited”, me qendër në Bournemouth, gjatë viteve 2014–2015. Më vonë, në vitin 2023, është themeluar edhe një subjekt tjetër me emrin “Opa Coffee Limited”, i cili ka ndryshuar adresë në vitin 2025.
Po ashtu ai dyshohet të ketë qenë i përfshirë në një rrjet më të gjerë kriminal të njohur si “Banda e Durrësit”, ku më pas drejtimi i strukturës dyshohet se ka kaluar te persona të tjerë të lidhur me të njëjtin rreth.
Hetuesit ndërkombëtarë kanë ngritur dyshime se rrjeti ku ai dyshohet të ketë qenë pjesë, ka operuar me një strukturë të mirëorganizuar, ku droga trafikohej nga Amerika Latine drejt porteve të Europës si Antëerp dhe Rotterdam, dhe më pas shpërndahej në Mbretërinë e Bashkuar dhe vende të tjera të BE-së. Sipas dosjeve hetimore, lëndët narkotike fshiheshin në ngarkesa legale si banane, kakao apo materiale druri, për të shmangur kontrollet doganore.

