Avokatët e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj i kanë paraqitur një kërkesë informacioni, Këshillit të Lartë të Prokurorisë, sa i përket procesit në Gjykatën Administrative për padinë ndaj prokurorit Ols Dado, nën pretëndimin e Veliajt se ai nuk i përmbush kushtet për postin që mbart.
Sipas asaj që thuhet në shkresë, kërkesa është dorëzuar në shkurt të vitit të kaluar, lidhur me dekretin për Ols Dadon, për të cilin pretendohet se nuk është shqyrtuar i gjithi prej KLP-së, por vetëm nga nënkryetari Erind Gërmenji.
“Ndodhur në këto kushte, kërkojmë nga ana juaj të na informoni nëse keni qenë në dijeni të faktit se z. Gërmenji ka marrë në shqyrtim dhe ka vendosur personalisht lidhur me përfundimin e statusit të magjistratit të z. Ols Dado, për shkak të mospërmbushjes së kritereve ligjore për emërimin e tij, duke i hequr kompetencën Këshillit të Lartë të Prokurorisë për të marrë një vendim kolegjial mbi kërkesën tonë”, thuhet ndër të tjera në kërkesë.
Kujtojmë se Kryebashkiaku i arrestuar prej më shumë se një viti e ka bërë fakt me të vetën që Ols Dado nuk duhet të jetë prokuror, ndaj thotë se nëse një funksion kaq i rëndësishëm mund të ushtrohet jashtë kritereve ligjore, atëherë vihet në kërcënim të drejtpërdrejtë vetë shteti i së drejtës dhe garantimi i të drejtave themelore të qytetarëve.
