Tensionet brenda shtëpisë së “Ferma VIP” duket se kanë mbetur vetëm brenda mureve të spektaklit. Ndryshe nga sa mund të kenë menduar shumë ndjekës, raportet mes banorëve jashtë programit janë krejtësisht të qeta.
Pas një jave intensive, të mbushur me debate, largime të papritura dhe emocione të forta, Fabiola dhe Gresa dy nga protagonistet e fundit të formatit janë parë së bashku në një atmosferë krejt ndryshe nga ajo që publiku pa në ekran. Fabiola u eliminua përmes televotimit pas deklaratave të saj, ndërsa Gresa vendosi të largohej me dëshirë nga gara pas përplasjeve të forta me Mozën.
Megjithatë, sapo dolën nga presioni i lojës, gjithçka duket se është lënë pas. Dy vajzat, të cilat njihen për një miqësi edhe përpara hyrjes në spektakël, janë filmuar duke u përqafuar dhe duke kërcyer së bashku, nën ritmet e këngës më të re të Gresës në bashkëpunim me Adin. Pamjet tregojnë qartë se marrëdhënia mes tyre nuk është ndikuar nga tensionet e krijuara gjatë lojës.
Kjo prapaskenë është ndarë në rrjetet sociale nga opinionisti i “Ferma VIP”, Ermal Mamaqi, i cili ka shoqëruar videon me një mesazh të drejtpërdrejtë për publikun. Duke filmuar momentin kur vajzat po kërcenin dhe qeshnin, ai u shpreh: “E shikoni pra miq, janë tu kërcy njerëzit. Mos e merrni kaq seriozisht. Është lojë. Dhe televizioni është mashtrim”.
Ndërkohë, në të njëjtën video, bie në sy edhe reagimi i Einxhel Shkira, e cila shihet duke rrotulluar sytë teksa ndjek skenën, duke shtuar një tjetër dimension ironik në këtë situatë që ka bërë xhiron e rrjetit.
