Avokati Endri Çela është shprehur se ish-zv.kryeministrja Belinda Balluku rrezikon deri në 12 vite burg nëse provohet se ka kryer korrupsion dhe deri në 15 vite, nëse provohet që ka kryer veprën penale të ‘pastrimit të produkteve të veprës penale’.
Komentet Çela i bëri në një lidhje live, ku tha se SPAK duhet të provojë nëse Balluku ka përfituar para përmes ndikimit të paligjshëm, ose jo.
Më tej Çela tha se nëse Balluku mund të ketë përfituar në mënyrë të paligjshme, jo detyrimisht këto pasuri mund të kenë kaluar në emrin e saj. Sipas Çelës, pasuritë e paligjshme të përfituara nga Balluku mund të kenë kaluar në emër të familjarëve të saj, ose të njerëzve me lidhje të afërta me të.
“Deri tani akuza që ka Balluku është ‘ushtrimi i ndikimit të paligjshëm’. Me veprimet përkatëse të SPAK, kërkohet të provohet fakti që përveçse ti ke ushtruar në mënyrë të paligjshme ndikimin për ta fituar një nga kompanitë përkatëse një tender të caktuar, ke patur edhe përfitim pasuror.
Kjo do të ndryshonte kualifikimin ligjor të veprës penale. Nga ushtrimi i ndikimit të paligjshëm, nëse vërtetohet që ke përfituar, kalon në korrupsion pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike. Pra veprimet janë me këtë qëllim, për të provuar ka apo nuk ka përfitim në raport me veprën penale për të cilën akuzohet Balluku.
Pasuria që mund të jetë përfituar në mënyrë të paligjshme, jo detyrimisht mund të ketë kaluar në emër të Ballukut, por mund të ketë kaluar në emër të personave të tjerë që mund të kenë lidhje me të, që mund të jenë familjarë, ose persona me lidhje të afërta.
Prokuroria mund të zgjasë afatet kur ka arsye të caktuara që nuk lejojnë përfundimin e hetimeve në kohë. Përshembull kur duhet të kryhet një akt-ekpertimi, etj. Në momentin që regjistrohet vepra penale, afatet maksimale të hetimeve janë 3 vite. S’mund të zgjasë më shumë se 3 vite.
Do të varen cilat do të jenë akuzat e SPAK nëse do të provohet kjo. Mund të shkojmë në vepra penale që shkojnë deri në 12 vite burg, nëse flasim për korrupsionin me pasoja të rënda, apo edhe më shumë nëse flasim për pastrim të produkteve të veprës penale. Pastrimi i produkteve të veprës penale në bashkëpunim shkon deri në 15 vite”, tha mes të tjerash Çela.
Kujtojmë se ditën e djeshme, një seri kontrollesh të miratuara nga Gjykata e Posaçme pas kërkesës së SPAK-ut, u ushtruan pranë familjarëve dhe personave të afërt me ish zëvendëskryeministren Belinda Balluku.
Sipas burimeve, agjentët e BKH-së kanë sekuestruar telefona dhe dokumenta të ndryshme. Ndaj Ballukut, nën hetim për tunelin e Llogarasë dhe lotet e Unazës së Tiranës, Prokuroria e Posaçme ka nisur dhe një hetim pasuror. Mësohet gjithashtu se SPAK ka nisur disa letër porosi edhe jashtë vendit.
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë
