Thursday, February 26, 2026
HomeALB“Janë 11 tenderë me vlerë 1.1 miliardë euro të firmosura nga Balluku”-...

“Janë 11 tenderë me vlerë 1.1 miliardë euro të firmosura nga Balluku”- Qëndrimet e Ramës, Bardhi: 16 mijë faqe prova ku faktohet korrupsioni i neveritshëm! Zvarritja e vendimit, frikë e humbjes së pushtetit

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, akuzon kreun e qeverisë, Edi Rama për zvarritje të qëllimshme të vendimit mbi imunitetin e Belinda Ballukut.

Në një reagim në rrjetet sociale pas deklaratave të kreut të qeverisë në mbledhjene grupit parlamentar, Bardhi shprehet se pas dy muajsh shtyrje, kryeministri po kërkon edhe dy javë të tjera kohë për hartimin e një raporti nga deputetët e shumicës, raport që sipas tij do të diktohet nga vetë Rama.

Kreu i grupit parlamentar të PD-së thekson se ekzistojnë “16 mijë faqe prova” që, sipas tij, faktojnë korrupsion në nivelet më të larta të qeverisë, si dhe përgjime që pretendohet se dëshmojnë për presione dhe shantazh ndaj dëshmitarëve.

Ai përmend gjithashtu dosjen antikorrupsion të Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), ku, sipas opozitës, del në pah roli i kryeministrit në vendimmarrjen për tenderat.

“Sa më shumë të zvarritet vendimi, aq më e qartë bëhet se problemi nuk është tek raporti, por tek frika për humbjen e pushtetit. Mesazhin e ka marrë shumë të qartë: çështja e Belinda Ballukut është test për Shqipërinë në raport me Bashkimin Europian. Integrimi nuk matet me fjalime (anti) “revolucionare”, por me akte që tregojnë se askush nuk është mbi ligjin”, deklaron Bardhi.

REAGIM I KRYETARIT TË GRUPIT PARLAMENTAR TË PD, GAZMENT BARDHI

Nuk i mjaftuan dy muaj zvarritje. Tani kërkon edhe dy javë të tjera për gjoja një raport të deputetëve të vet, për të cilin urdhrin do ta japë po vetë.

Por çfarë ka për t’u analizuar kaq gjatë?

Janë 11 tenderë me vlerë 1.1 miliardë euro, të firmosura nga Belinda Balluku, me urdhër apo dijeni të Edi Ramës. Një pjesë janë projekte publike që sot po shemben dhe po bllokojnë qytetarët kudo në vend.

Janë 16 mijë faqe prova ku faktohet korrupsioni i neveritshëm i qeverisë dhe administratës së lartë të Edi Ramës.

Janë mjaftueshëm përgjime që faktojnë shantazhin mafioz ndaj dëshmitarëve në proces, përmes të fortëve, parave të pista dhe presionit ndaj familjes.

Pra, pse kërkon të blejë akoma kohë Edi Rama? Pse sulmon drejtësinë? Pse pengon drejtësinë?

Sepse nuk bëhet më fjalë thjesht për Belinda Ballukun. Në lojë është personalisht Edi Rama. Rolin e tij në vendimet se kush i fiton tenderat, e kemi parë e zeza mbi të bardhë në dosjen antikorrupsion të SPAK-ut.

Fatkeqësisht për Edi Ramën, koha nuk ndryshon faktet. Shtyrja nuk ndryshon përgjegjësinë. Sa më shumë të zvarritet vendimi, aq më e qartë bëhet se problemi nuk është tek hartimi i raportit të shumicës, por tek frika e Edi Ramës për humbjen e pushtetit.

Mesazhin e ka marrë shumë të qartë: çështja e Belinda Ballukut është test për Shqipërinë në raport me Bashkimin Europian. Integrimi nuk matet me fjalime (anti) “revolucionare”, por me akte që tregojnë se askush nuk është mbi ligjin.

Kur pushteti zvarritet për të mbrojtur veten, qytetarët nuk kanë arsye të presin.

Prandaj, 28 shkurti, ora 18:00, është dita kur frika e pushtetit do të përballet përsëri me vendosmërinë e qytetarëve. Është dita e shqiptarëve që e duan Shqipërinë si gjithë Europa.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments