Kryeministri Edi Rama po hedh “lopatat e fundit të dheut mbi varrin e ndarjes së pushteteve”, duke u shndërruar në “varrmihësin e demokracisë”. Kjo ishte akuza e drejtorit të Komunikimit në Partinë Demokratike, Alfred Lela, i cili deklaroi se ndryshimet e fundit ligjore që i japin paprekshmëri ekzekutivit nga vendimet e drejtësisë, janë një tentativë finale e kryeministrit për të bllokuar çdo hetim që i afrohet atij dhe rrethit të tij të ngushtë.
Gjatë një interviste në Syri tv me moderatorin Arnold Kariqi, ai tha se “lëvizjet e fundit të Ramës nuk janë një përpjekje për të forcuar pavarësinë e ekzekutivit, por një akt i nxitur nga frika. Ai theksoi se “zemërata kontestatore” e kryeministrit gjatë javëve të fundit lidhet drejtpërdrejt me “lakun që po i lidhet në fyt ministres Belinda Balluku” dhe, rrjedhimisht, vetë Ramës si partner në shkeljet ligjore”.
Drejtori i Komunikimit në PD vuri në dukje se reagimi i kryeministrit në rastin e Ballukut është i paprecedentë, ndryshe nga qëndrimi i mbajtur ndaj ish-zyrtarëve të tjerë të lartë si Ahmetaj, Beqja apo Bllako. “Çfarë e bën zonjën Balluku kaq virtuoze? Kjo nuk lidhet me fatin e saj, por me fatin e vetë Ramës,” argumentoi Lela, duke shtuar se e vetmja arsye është se hetimet po prekin tashmë majën e pushtetit.
Arnold Kariqi: E nisim pak me zhvillimet e fundit, ku duket se zoti Rama nuk është tërhequr nga ajo çka paralajmëroi para disa ditëve. Prezantoi sot ndryshimet ligjore që e shpallin pothuajse të paprekshëm atë dhe qeverinë e tij nga vendimet e drejtësisë për pezullim nga detyra. Lela, si i shihni këto ndryshime? Është pavarësi, siç zoti Rama deklaroi, pavarësia e ekzekutivit, apo paprekshmëri?
Alfred Lela: Shiko, Edi Rama qartësisht është duke hedhur lopatat e fundit të dheut, mbi arkivolin ose në varrin e ndarjes së pushteteve. Pra, është duke, hedhur lopatat e fundit në strategjinë e tij të vjetër, por që po mundohet ta përmbyll këto javët e fundit, të moslejimit të asnjë dritareje disidence ose pavarësie të asnjë pushteti tjetër dhe këtë po bën. Po kthehet në varrmihës të demokracisë, siç e njohim, ashtu problematike, e brishtë, hibride, siç ka qenë me hope dhe në tranzicion demokracia jonë, por ai po bëhet përfundimisht varrmihësi i saj. Dhe qëllim, synimet kuptohen, janë të qarta, sepse është e qartë zemërimi, zemërata e kryeministrit, e cila ka ardhur më e fortë dhe më kontestatore javët e fundit, javë të cilat, siç të gjithë e dimë, lidhen me lakun që po i lidhet në fyt Belinda Ballukut dhe rrjedhimisht edhe partnerit në krim, në kundërvajtje apo në shkelje ligjore që është vetë zoti Rama. Pra, është tentativa e tij finale për të bllokuar çdokënd, çdo institucion i cili provon t’i afrohet atij vetë dhe rrethit të tij të ngushtë me të cilin ka ndarë edhe korrupsionin këto 12-13 vite të gjata keqqeverisje.
Arnold Kariqi: Është kjo arsyeja e ndryshimit të kryeministrit zoti Lela, duke parë Ramën ose duke kujtuar Ramën e qëndrimeve të para disa kohëve, qëndrimet mbi palët, nuk komentonte vendimet e drejtësisë, nuk mbronte askënd prej bashkëpunëtorëve të tij, për sa kohë fliste drejtësia, ndërkohë që e kundërta po ndodh me Belinda Ballukun.
Alfred Lela: Po ndryshimi, lexohet, është i qartë. Pra, nga një Ramë i cili i mbronte institucionet e drejtësisë sipas parimit, heronjtë e fëmijëve tanë, tani ka kaluar tek një Ramë i cili i anatemon, i sulmon, i linçon të njëjtat institucione duke i kthyer në, antiheronj. Pra, personazhet pozitive bëhen personazhe negative, por Rama mbetet po ai, është i njëjti personazh i cili ka nevojën, ka frikën dhe i cili e ndryshon, qimen në varësi të asaj që duhet të mbrojë. Në këtë rast i duhet të mbrojë veten, e ndjen se laku apo rrethimi i drejtësisë, e cila gjurmon shkeljet, kontrabandën dhe kundraligjin, i ka ardhur afër dhe prandaj është ky ndryshim, sepse duhet të rikujtojmë një gjë, Ramës nuk është i pari ministër dhe zëvendëskryeministër që i bie, apo jo? Apo i pari deputet, apo deputete. Janë disa. Beqja, Ahmetaj, i cili është një histori më vete. Madje, madje për Ahmetajn udhëzonte, edhe prokurorë edhe gjyqtarët dikur. Thonte po të isha unë do i bëja këtë e atë. Edhe Beqja, Bllako, pra janë disa, ish-ministri i bujqësisë, dhe e vetmja herë që Rama sillet në këtë mënyrë, është tani, këtu, në rastin Balluku. Dhe pyetja fare mirë mund të bëhet, pse? Çfarë cilësie ka zonja Balluku? Çfarë e bën zonjën Balluku kaq, virtuoze? Nuk ka asgjë tjetër, nuk lidhet, kjo me, vetë Ballukun apo me fatin e zonjës Balluku. Lidhet me vetë Ramën dhe me fatin dhe me fatin e Ramës. Nuk ka shpjegim, tjetër. Dhe pastaj shtyrja, deri në ekstrem. Vendimi që ekzekutivi të bëjë prerogativa, të ndërtojë prerogativa ligjore, të bëjë ligje, të bëjë ndërhyrje në, kode, ndërhyrje ligjore të cilat mbajnë larg të njëjtën drejtësi me të cilën Rama mburrej dhe thoshte, madje thoshte, e ka bërë Partia Socialiste, e kam bërë unë, nuk e kanë bërë amerikanët dhe evropianët. Ndërkohë që tani janë amerikanët dhe evropianët që janë në anën tjetër të qëndrimeve të Ramës dhe po thonë atë që e kemi ndjekur dhe po i rezistojnë duke e quajtur të pavend këtë përpjekje për ndërhyrje apo qoftë dhe përpjekje për marrëzi të Edi Ramës në raport me institucionet kushtetuese….
