Qeveria Rama ka njoftuar një rritje të pagave për 3 kategori të Forcave Policore.
Do doja gjithashtu ta mbyllja këtë prezantim të parë me një lajm të mirë që ka të bëjë pikërisht me faktin që në mbledhjen e radhës të Këshillit të Ministrave, kemi propozuar një rritje të re pagash sa i përket punonjësve të policisë së shtetit”, tha Koçiu.
Ministrja e Brendshme Albana Koçiu bën me dije se nga ky vendim i qeverisë do të perfitojne 3 struktura të Policisë së Shtetit, Forcat RENEA, forcat e sigurisë kombëtare dhe forcat e posaçme operacionale.
Konkretisht, për forcat speciale RENEA paga rritet me 250 mijë lekë (rreth 250 euro), ose 20% më shumë. Për Forcat Kombëtare të Sigurisë dhe efektivët e Forcës së Posaçme Operacionale, paga rritet me 140 mijë lekë, ose rreth 14%.
“Me rritjen që këto kategori marrin tani, mjafton të them që një inspektor i thjeshtë kalon në një pagë 1600 euro, ndërsa për një drejtues në RENEA 2300 euro. Për forcat operacionale, grada inspektor 1200 dhe ajo për një kryekomisar 1600 dhe 1700 euro. Ashtu siç e thashë, është një politikë rritje page, e cila tregon me vepra mbështetjen që i japim punonjësve të Policisë së Shtetit. Dhe nga ana tjetër është një rritje që mundëson ruajtjen e efektivëve më të mirë në këto trupa policore”, tha Koçiu.
Kjo rritje page prek rreth 720 efektivë të strukturave speciale, që ndodhen në vijën e parë të përballjes me krimin e organizuar dhe individët me rrezikshmëri të lartë shoqërore.
Ministrja rikujtoi gjithashtu se në fillim të vitit, i gjithë aparati i Policisë së Shtetit dhe Garda e Republikës përfituan një rritje të ndjeshme page, duke nënvizuar se mbështetja ndaj forcave të rendit nuk është çështje fjalësh, por angazhim i vazhdueshëm me masa konkrete.
