Segmenti rrugor Maliq–Lozhan është bllokuar pasditen e kësaj të diele, si pasojë e shembjes së murit anësor, në zonën e njohur si Ura e Qenckës.
Sipas informacioneve paraprake, një sasi dherash ka rrëshqitur duke shembur murin dhe duke bërë që ky aks rrugor të ketë të aksesueshëm vetëm një korsi.
Siç mund të shihet dhe në foton e mësipërme shembja e murit është e përmasave të konsiderueshme, ndërsa kjo nuk është hera e parë që ky segment rrugor ka pësuar dëmtime.
Një vit pas inagurimit me bujë, në këtë aks u regjistruan edhe disa shembje të tjera duke ngritur sërish pikëpyetje dhe shqetësime serioze mbi sigurinë dhe cilësinë e punimeve në infrastrukturën rrugore në vend.
Aksi Maliq–Lozhan u promovua si një investim strategjik, pasi lidh qytetin e Maliqit me Gramshin dhe zonat përreth, duke krijuar një korridor të rëndësishëm për zhvillimin ekonomik, bujqësor dhe turistik të zonës.
Ky segment i ri rrugor, me një gjatësi prej 18.8 kilometrash, konsiderohet një hallkë kyçe për lidhjen e fshatrave të Qarkut Korçë me qendrat urbane.
