Me t’ardh turp me kenë shqiptar’, ishte ndjesia më e dhimbshme teksa dëgjoje kryeministrin e Shqipërisë në konferencë shtypi live ne mesdite me gazetarë dhe gazetare europianë që kanë ardhur në numër të mbulojnë protestat në Shqipëri. Shyqyr që Kryeministri nuk foli si shqiptar por si autokratët që s’kanë kombësi.
Nga Putini te Vuçiç duke kaluar te Erdogani dhe Alievi, të gjitha këta lidera anti-demokratikë, një gjuhë të përbashkët kanë me mediat e lira: talljen dhe sulmet personale për ta nxjerrë nga binarët konferencën e shtypit dhe mos dhënë asnjë përgjigje.
‘Të është bllokuar totalisht truri nga gënjeshtrat dhe s’është habi që je rumune » i drejtohej Edi Rama në mënyrën më të shëmtuar që mund të egzistojë një korrespondentje nga Rumania. Nderkohë që një simotër e saj nga një vend tjetër europian shqente syte nga habija por ndoshta dhe nga frika kur Rama iu drejtua si një i obseduar me fjalët e përçarta ‘hë s’po të duket shumë seksi kjo qe po te them’? Të gjitha gazetaret e huaja femra filluan të shikonin njëra tjetrën të skandalizuara, a u foli vërtetë ashtu kryeministri i Shqipërisë.
Ndërkaq Rama vazhdonte me lajthitjet e tija me ton, shikim dhe zgërdhitje që i kallnin datën dhe kameramanëve. ‘Moj zonjë, nuk ka projekt në Zvërnec, ka vetëm një ide projekti, jo projekt’, e vazhdoi këtë monolog surrealist Rama për një gjysëm ore. Surrealist sepse njëkohësisht u thoshte gazetarëve të huaj qe ka parë skicat që kanë bërë arkitektët më të mirë per kompleksin turistik në Zvërnec dhe ka mbetur i mahnitur.
Por një gazetare austriake e mbetur e çoroditur nga këto kontradikta të pabesueshme te Ramës, i bën nga karrigia ku ishte ulur shenja me duar dhe shikime, që domethënë, paska një projekt në Zvërnec! Më mirë mos të kish bërë atë pyetje se i dha mundësi Ramës të rifillonte një breshëri me ofendime të tipit ‘o zot si është e mundur që ju s’kuptoni asgjë’.
Ai shkoi deri aty sa dha shëmbullin e një çifti ‘që do martohen që kanë projekt të blejnë një shtëpi por derisa nuk e kanë blerë nuk quhet projekt’!
Dhe kamera që fikson gjithë sallën me gazetarë të huaj, gojëhapur dhe me çehren: të ulurasim bashkarisht nga e qeshura apo nga të qarët.
Më në fund dhe bota e kuptoi sot se çfarë po vuajnë shqiptarët me këtë personazh që në këtë moment nuk ka asgjë më që e shpëton, jo vetëm politikisht…
Një pyetje serioze gazetarie lypet megjithatë të shtrohet: po gazetarët shqiptarë pse nuk u lejuan të merrnin pjesë në konferencë shtypi? As Donald Trump qe Rama po e imiton me ofendimet e tija ndaj shtypit, nuk ka guxuar deri më sot t’i ndajë në Shtëpinë e Bardhë gazetarët e huaj nga ata vendas.
Nxënësi i mirë ka gjithmonë tendencë ta tejkalojë profesorin.
