Sipas një artikulli të publikuar nga media greke Greek City Times, investitori amerikan dhe dhëndri i ish-presidentit amerikan Donald Trump, Jared Kushner, thuhet se po shqyrton mundësinë e tërheqjes nga projekti i shumëpërfolur turistik në ishullin e Sazanit dhe po orienton interesin drejt investimeve në ishullin grek të Mykonos.
Artikulli, i publikuar më 7 qershor, pretendon se ndryshimet në klimën e investimeve dhe incentivat e ofruara nga Greqia mund të kenë ndikuar në këtë vendimmarrje. Megjithatë, deri në këto momente nuk ka një konfirmim zyrtar nga kompania e Kushner apo nga autoritetet shqiptare lidhur me një tërheqje të mundshme nga projekti në Sazan.
Projekti në ishullin e Sazanit ka qenë një nga investimet më të diskutuara në Shqipëri gjatë viteve të fundit, duke ngjallur debat të gjerë politik dhe publik.
Mbetet për t’u parë nëse raportimi i medias greke do të konfirmohet nga palët e përfshira në ditët në vijim.
