Një aksident i rëndë rrugor ka tronditur mëngjesin e kësaj të premteje aksin Kardhiq–Delvinë, në zonën e njohur si Fushë Vërri e Delvinës. Si pasojë e përplasjes tragjike, ka humbur jetën 18-vjeçari Orest Mahmutaj nga Lazarati, ndërsa tre persona të tjerë kanë mbetur të plagosur.

Sipas informacioneve paraprake, në aksident janë përfshirë dy automjete që janë përplasur në rrethana ende të paqarta. Përplasja ka qenë e fortë, duke shkaktuar dëme të mëdha materiale dhe pasoja të rënda për personat që ndodheshin në mjete.
Pas goditjes, njëri prej automjeteve ka dalë nga rruga dhe është përmbysur, ndërsa automjeti tjetër, tip “Audi”, ka pësuar dëmtime të konsiderueshme. Të plagosurit janë transportuar me urgjencë drejt spitalit për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore.
Në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë shërbimet e Policisë, ambulancat dhe forcat zjarrfikëse, të cilat kanë ndërhyrë për t’u ardhur në ndihmë të lënduarve dhe për të normalizuar qarkullimin në këtë aks rrugor.
Grupi hetimor vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe shkaqeve që çuan në këtë aksident tragjik, ndërsa komuniteti i Lazaratit është tronditur nga humbja e të riut 18-vjeçar. 🕊️💔
