Një ngjarje e rëndë kriminale ka tronditur Long Island në Shtetet e Bashkuara, ku një emigrant i paligjshëm 22-vjeçar nga El Salvadori akuzohet për dy vrasje brutale të kryera brenda pak orësh.
Sipas autoriteteve amerikane, Ronnie Yahir Alvarenga Rivera dyshohet se vrau fillimisht fqinjën e tij, 57-vjeçaren Raquel Hernandez Castillo, pasi ishte irrituar nga zhurmat që ajo bënte në apartamentin ku jetonte.
Prokurorja e Qarkut Nassau, Ann Donnelly, deklaroi se Rivera u tha hetuesve se zhurma e takave të larta të gruas dhe fakti që ajo fliste me zë të lartë në telefon po e “çmendnin”. Sipas akuzës, më 30 prill ai e sulmoi gruan me thikë, duke e goditur rreth 50 herë.
Kur u arrestua, rrobat e tij ishin të mbuluara me gjak”, tha Donnelly gjatë një deklarate për mediat.
Hetuesit thonë se pas krimit të parë, i riu kishte arritur në përfundimin se do të arrestohej dhe për këtë arsye vendosi të kryente një tjetër sulm vdekjeprurës.
Viktima e dytë ishte 42-vjeçarja Ana Maria de Águila Córdova, nënë e tre fëmijëve dhe kolege e tij në një restorant. Sipas autoriteteve, Rivera e priti për rreth 30 minuta pranë një koshi mbeturinash jashtë vendit të punës.
Pak pas mesnatës së 1 majit, kur gruaja doli për të hedhur mbeturinat, ai e sulmoi me thikë. Hetuesit thonë se mes tyre kishte pasur mosmarrëveshje dhe se Rivera ishte ndier “i parespektuar” prej saj. Sipas dosjes hetimore, 42-vjeçarja u godit me thikë më shumë se 30 herë dhe nuk mundi t’u mbijetonte plagëve.
Pas krimit të dytë, i dyshuari telefonoi vetë policinë rreth orës 03:00 të mëngjesit dhe raportoi ngjarjen.
Sipas mediave amerikane, Rivera vuante nga probleme të shëndetit mendor, megjithëse detajet mbi gjendjen e tij nuk janë bërë publike nga autoritetet. 22-vjeçari kishte hyrë ilegalisht në Shtetet e Bashkuara në vitin 2016, kur ishte vetëm 12 vjeç dhe i pashoqëruar nga familjarët.
Të martën ai doli para gjykatës, ku u deklarua i pafajshëm ndaj akuzave për vrasje të shkallës së parë dhe të dytë, si dhe për akuza të tjera që lidhen me dy krimet.
Ngjarja ka shkaktuar reagime të forta në komunitetin lokal dhe ka rikthyer debatin mbi emigracionin e paligjshëm, sigurinë publike dhe trajtimin e personave me probleme të shëndetit mendor në SHBA. Hetimet për rastin vijojnë.
