Evropa Jugore dhe Perëndimore po përballet me një valë intensive të të nxehtit, ndërsa temperaturat ekstreme vijojnë të thyejnë rekorde sezonale dhe të vendosin në alarm autoritetet në disa vende të kontinentit.
Franca ndodhet në nivel alarmi portokalli, ndërsa qytetet kryesore të Italisë janë vendosur në alarm të kuq. Ndërkohë, Spanja dhe Portugalia po regjistrojnë temperatura që afrohen ose tejkalojnë kufijtë historikë për këtë periudhë të vitit.
Sipas të dhënave satelitore të programit evropian Copernicus, vala e të nxehtit ka përfshirë një pjesë të madhe të kontinentit, me intensitet më të lartë në Evropën Perëndimore dhe Jugore.
Në Francë, temperaturat e larta kanë shkaktuar probleme edhe në infrastrukturë. Në periferi të Parisit, shinat e tramvajit janë deformuar për shkak të nxehtësisë ekstreme, ndërsa në kryeqytet termometri ka shënuar 34-35 gradë Celsius, të shoqëruara me lagështi të lartë dhe kushte mbytëse. Në disa rajone, temperaturat kanë arritur deri në 38 gradë Celsius, ndërsa vendi vijon të ndikohet nga fenomeni i ashtuquajtur “kupola termike”.
Banorët kanë kërkuar mënyra alternative për t’u freskuar. Në disa zona të Parisit janë hapur edhe hidrantët e zjarrit, duke shkaktuar shqetësime për shpërdorimin e ujit. Ndërkohë, autoritetet dhe shërbimet zjarrfikëse janë në gatishmëri të lartë për shkak të rrezikut të shtuar nga zjarret.
Në Itali, temperaturat e larta kanë boshatisur rrugët e qyteteve kryesore. Torino dhe disa qendra të tjera urbane po përjetojnë ditë të vështira, ndërsa autoritetet u kanë bërë thirrje qytetarëve të kufizojnë lëvizjet gjatë orëve më të nxehta të ditës.
Situata paraqitet edhe më kritike në Portugali, ku temperaturat janë afruar me 40 gradë Celsius, pothuajse një muaj përpara fillimit zyrtar të verës. Meteorologët theksojnë se temperaturat aktuale janë 8 deri në 10 gradë më të larta se mesatarja sezonale, duke e bërë këtë valë të nxehti të pazakontë.
Edhe Spanja po përballet me temperatura ekstreme, ku në disa zona ato kanë kaluar 37 gradë Celsius. Autoritetet raportojnë për viktima të lidhura me vapën, ndërsa qytetarët përshkruajnë kushte të padurueshme, sidomos gjatë natës.
Autoritetet në vendet e prekura vijojnë të apelojnë për kujdes maksimal, ndërsa parashikimet tregojnë se vala e të nxehtit pritet të zgjasë edhe në ditët në vijim
