Ka degjeneruar në përplasje fizike, kaos dhe të lënduar protesta e banorëve të Zvërnecit këtë të shtunë. Situata në terren mbetet tejet e tensionuar, ndërsa raportohet se disa qytetarë kanë përfunduar në spital për të marrë ndihmë mjekësore si pasojë e përdorimit të lëndëve irrituese nga ana e forcave të rendit.
Tensionet u rritën kur një grup protestuesish tentoi të shkatërronte dhe të shkulte gardhin rrethues me tela që është vendosur në zonë. Banorët kanë qëlluar me gurë në drejtim të efektivëve të Policisë së Shtetit, të cilët ishin pozicionuar si kordon sigurie. Për të zmbrapsur turmën dhe për të menaxhuar situatën, efektivët kanë ndërhyrë duke hedhur spraj lotësjellës ndaj pjesëmarrësve në protestë.
Banorët dhe pronarët e tokave e konsiderojnë këtë ndërhyrje si një shpronësim faktik të pronave të tyre, duke akuzuar autoritetet se po veprojnë pa një zgjidhje përfundimtare dhe të rregullt ligjore.
Ky konflikt vjen si pasojë e projektit të madh që parashikohet të zhvillohet në zonën e Zvërnecit dhe Pishë Poros. Në këtë hapësirë bregdetare pritet të ndërtohet një resort turistik luksoz nga kompania “Zvërnec South Adriatic Development”. Sipas të dhënave të bëra publike mbi planet e investimit, kjo strukturë lidhet me emra të njohur të investimeve ndërkombëtare, ku përfshihen Jared Kushner dhe Ivanka Trump, si dhe biznesmenët Ramez e Mohamad Al-Khayyat nga Katari.
