Saturday, May 30, 2026
HomeALBRrethi familjar i Daniel Shimës me të cilin pastroi paratë e AKSHI-t...

Rrethi familjar i Daniel Shimës me të cilin pastroi paratë e AKSHI-t nga mamaja tek e dashura avokate. A do t’i arrestojë Altin Dumani?

Nga Inside Story

Në qendër të dosjes AKSHI, përpos zhvatjes së dhjetëra miliona eurove përmes tenderave të paracaktuar, një prej ngjarjeve të konsideruara më të rënda ishte denoncimi i biznesmenit Gerond Meçe për peng-marrje. Një akt që çuditërisht, ai vendosi të mos e denoncojë fillimisht, por, u mjaftua duke mbledhur prova ndaj kundërshtarëve. Kjo, e kishte një shpjegim. Bosi i kompanisë “Advanced Bussines Solution”, dikur ishte përfituesi numër 1 i tenderave të AKSHIT. Në periudhën 2019-2026 ai arkëtoi rreth 40 milionë euro vetëm nga AKSHI. Në investigimin e publikuar në 11 SHkurt 2026, ne zbuluam se si ky personazh, kishte përfituar dhjetëra milionë euro në tendera sekretë apo prokurime me flamur të kuq. Po ashtu, ai kishte ngritur një skemë të madhe qarkullimi parash përmes raporteve fiktive të faturuara me kompani satelitë të kontrolluara nga ai,

Madje, në vitin 2023, SPAK ka regjistruar procedimin numër 146 për tenderin e laboratorëve SMART për Ministrinë e Arsimit. Sipas informacioneve që janë mbajtur konfidenciale nga SPAK, Gerond Meçes i janë bërë kontrolle në banesë dhe zyra. Por, pavarësisht zgjerimit të hetimeve të SPAK duke shtuar akuzat për disa persona dhe subjekte, nuk kishte asnjë gjurmë për Gerond Meçen dhe kompanitë e tij. Përkundrazi, Meçe është rikthyer njeriu dominant i tenderave pas goditjes së rivalit të tij Ermal Beqiri.

Përgjatë muajve të fundit që përkojnë me goditjen e drejtueses së AKSHI Mirlinda Karçanaj, biznesmenëve Ergys Agasi dhe Ermal Beqiri, kompania ‘Advanced Bussines Solution e Meçes’ është kthyer dominuese

Referuar këtij vendimi të Agjencisë së prokurimit Publik që mban datën 1 Prill 2026, kompania ABS u shpall fituese e procedurës për ndërtimin e Sistemit Informatik të Menaxhimit të Proceseve të Brendshme për Drejtorinë e dhe Institucionet e vartësisë. Oferta fituese ishte 221 milionë lekë ose rreth 2.2 milionë euro pa TVSH. Nëse shikon me vëmendje, procedura ishte hapur që në vitin 2025, por, për gati 10 muaj mbeti e bllokuar pas ankesës së Meçes. Në fund, KPP pranoi ankesën dhe riktheu në garë biznesmenin që tashmë kishte rrugën e lirë. Nëse shikon dokumentet e tenderit, bie në sy fakti se nga 5 kompani pjesëmarrëse, 2 prej tyre nuk kanë paraqitur asnjë ofertë ekonomike, duke ngritur dyshimet për fiktivitetin e tenderit. 

ABS fitoi një tjetër tender sipas njoftimit publik të bërë më 1 Prill 2026. Procedura kishte objekt përmirësimin e sistemit të pagesave ‘e-dëmshpërblime’. Vlera e ofertës fituese ishte rreth 25 milionë lekë pa TVSH ose rreth 250 mijë euro. Ajo që bie në sy është fakti se edhe në këtë rast, 2 nga 4 konkurues nuk paraqesin ofertë ekonomike duke i lënë rrugën e lirë subjektit të Gerond Meçes që në këtë tender lidhi ortakëri me kompaninë “Datalog”. Në Mars 2026, ABS fiton një tjetër tender rreth 2.5 milionë lekë me autoritet prokurues ‘Ujësjellës kanalizime Tiranë’. Sërish, nga 4 pjesëmarrës, 2 prej tyre nuk paraqesin ofertë ekonomike. Pra, këtu shihet se si subjekti zgjeron ndikimin edhe në institucione të tjera. Pyetja që ngrihet natyrshëm është se si mundet që një kompani e hetuar për tendera të dyshimtë, rikthehet në tabelat e fituesve në normalitet… 

Kompania dhe transaksionet që i nxjerrin zbuluar, Daniel Shima dhe Gerond Meçe bashkë në tenderat e AKSHI-t 

Teksa SPAK thelloi hetimet financiare drejt njërit grup në AKSHI, ne kemi bërë disa hulumtime të reja lidhur me raportet financiare dhe qarkullimet e kompanisë ABS të Gerond Meçes. Në këtë hulumtim që është vijues i investigimit të shkurtit të vitit 2026, del në dritë një raport i dyshimtë me kompaninë “M TECH”. Një subjekt i themeluar në vitin 2016 dhe i mbyllur në vitin 2019. Ajo që bie në sy është raporti i fortë financiar mes dy kompanive në një kohë kaq të shkurtër…

Mes 1 qershorit të vitit 2017 deri në 3 janar 2019, “M TECH” lëshon 25 fatura shitjeje ndaj kompanisë “ADVANCED BUSSINES SOLUTION”. Vlera totale është 87 milionë lekë ose rreth 900 mijë euro. Pjesa dërrmuese e faturave janë identike, në vlerën 1,8 milionë lekë të reja. Në 2 Nëntor të vitit 2018, bie në sy një faturë me vlerë prej 36,5 milionë lekësh ose rreth 370 mijë euro. 

Por, cilat janë kapacitetet reale të kompanisë “M TECH” e cila i faturon subjektit ABS plot 900 mijë euro. Hulumtimi zbulon se kompania në fjalë, kishte vetëm 2 të punësuar, administratoren Eleni Zhapa dhe pastruesen Zhaneta Çapani. Se çfarë nevojash kishte një kompani e konsoliduar në fushën e IT si ajo e Gerond Meçes, të merrte shërbim nga një subjekt që ka vetëm 2 të punësuar, kjo duket çudi e 

Ligjërisht, raportet janë korrekte, por, këtu lindin dyshimet e transaksioneve fiktive për një kompani që qarkullon paratë me origjinë nga tenderat e dyshimtë. Nëse faturat nuk përkthehen në punë reale, atëherë duhet të ngrihen antenat e strukturave ligjzbatuese.

Nëse krahason bilancet e dy kompanive, ‘ABS’ dhe ‘M TECH’, rezulton se shifrat e deklaruara të transaksioneve nuk përputhen. Për vitin 2017, ‘M-Tech’ ka deklaruar në bilancin e saj klientë të pa-arkëtuar në shumën 8,112,000 lekë, shumë që lidhet me detyrimet e pashlyera deri më 31.12.2017 nga ‘Advanced Business Solutions’. 

Kjo e fundit, në anën tjetër deklaron dyfishin e shumës si detyrim ndaj ‘M-Tech’, plot 16 milionë lekë. Pra, për të njëjtën marrëdhënie financiare, njëra palë deklaron shumën 8 milionë lekë ndërsa pala tjetër thotë se i detyrohet atij subjekti 16 milionë. 

Këtu, problemi nuk është më vetëm kontabël, por ka diçka që fshihet…Kjo, nëse i referohemi raportit vijues financiar në vitin pas-ardhës. Për 2018ën, ‘M-TECH flet për 40 milionë lekë të pa arkëtuara nga ABS, ndërsa kjo e fundit flet për 46,6 milionë lekë. Pra, një diferencë prej rreth 6,6 milionë lekësh ose 70 mijë euro. 

Pyetja që ngrihet natyrshëm është pse këto kompani partnere kanë deklarime të ndryshme rreth transaksioneve mes tyre dhe cfarë synohet të fshihet…?

Një tjetër detaj interesant është fakti se kompania ‘M TECH’, në 3 vite që ka operuar e ka normën e fitimit tepër të lartë, përkatësisht 24, 71 dhe 68 %. Një tjetër tregues që përforcon dyshimet se ky subjekt, nuk ka kryer punë reale. 

Por, cilat ishin sekretet e shkëlqimit të këtij subjekti? Administratorja e subjektit ‘M TECH’, njihet si një prej njerëzve të afërt të Daniel Shimës, ish zëvendësdrejtorit të AKSHIT. Pra, njeriut që ka lëvizur në prapaskenë fijet. Personi që siç zbuluam në investigimin e mëhershëm, zotëron prona në vlerë miliona euro përmes prestanomeve. 

Këtu, zbulohet dhe merr kuptim raporti i afërt mes Daniel Shimës dhe Gerond Meçes. I pari i vënë nën hetim pas investigimit të Inside Story, ndërsa i dyti është rikthyer si aktori kryesor i tenderave në fushën e IT.

Pas qarkullimit të rreth 900 mijë eurove, kompania ‘M TECH’ e mbylli aktivitetin. Tërheqja e subjektit ndodh në një moment kur ai që dyshohet se ishte shefi i vërtetë i saj, Daniel Shima, hedh të tjera hapa. Në vitin 2019, Shima nis një fushatë të gjerë investimesh në blerje trojesh për ndërtime përmes kompanive “Premium Glass” dhe “Alu Glass”. Në subjektin ‘Premium Glass’ rezultonte aksionere edhe nëna e tij me profesion rrobaqepëse. 

Sipas informacioneve, pikërisht nën emrin e nënës së tij Merita Shima, ish-pronare e “Premium Glass”, po ndërtohet në Farkë, në truallin në pronësi të saj një tjetër godinëbanimi.

Gerond Meçe investime dhe transaksione miliona euro me prestanomet e Daniel Shimës, zbulohet skema 

Raporti mes Gerond Meçes dhe Daniel Shimës bëhet edhe më evident nëse i referohemi raporteve financiare mes subjekteve ABS dhe “Alu Glass”. Në 4 Maj 2022, kompania e xhamave “Alu Glass”, faturon me plot 15,3 milionë lekë ose rreth 160 mijë euro kompaninë e Meçes. Nuk dihet se çfarë shërbimi mund ti ketë ofruar ky subjekt që tregton fasada xhamash një kompanie që operon në fushën e IT…

Raporti mes ABS dhe ‘Alu Glas’ që kontrollohet nga Sokol Parllaku, njeriu i Daniel Shimës, bëhet më evident nëse hulumtojmë përtej kufijve. Inside Story ka mësuar se kompania e lidhur me Shimën, po ndërton dy kulla në Prishtinë në bashkëpunim me kompaninë ‘ABS Kosova’ të Gerond Meçes dhe subjektin tjetër AESS të kontrolluar nga shtetasja shqiptare me pasaportë gjermane Migena Shrëder. 

Këtu, merr kuptim edhe roli i zonjës në fjalë në lojën e tenderave në AKSHI, e cila ka dhënë dëshmi në SPAK duke goditur grupin rival të Gerond Meçes.

Nëse analizon kompaninë ‘AESS’ të Migena Shrëder, rezulton se në periudhën 2018-2023, subjekti ka ndërruar plot 9 herë pronësinë mes saj dhe babait. Në të gjitha rastet kalimet bëheshin përmes dhurimit. Lëvizjet përkojnë pikërisht me kohën kur subjekti në fjalë shfaqet në tenderat e AKSHIT në grupin e influencës të lidhur me Gerond Meçen dhe Daniel Shimën. Dy emra, që siç zbuluam më sipër, kanë qenë bashkë në lojë.

‘Ndiq Paratë’, nga punonjësit e përbashkët te transaksionet dhe aleancat nëtendera, grupi që zhvati dhjetëra mln euro nga AKSHI

Nëse analizon me detaje aleancat e tenderave dhe transaksionet, qartësohet se pjesë e këtij grupimi ka qenë edhe kompania AESS. Kjo, del qartë në tenderin e dytë për laboratorët smart në shkolla. Pas skandalit me tenderin e parë me vlerë 17 milionë euro, që u vendos nën hetim, tashmë biznesmeni Gerond Meçe qëndroi në prapaskenë. Por, futi në lojë njeriun e tij Elision Jorgjis me kompaninë Albascan. Lidhja e fortë mes tyre del qartë në transaksione. Albascan ka kaluar në llogaritë e ABS deri në vitin 2025 plot 11,1 milionë euro ndërsa në kahun e kundërt kanë shkuar rreth 3,1 milionë euro. 

Në tenderin e dytë për laboratorët SMART, loja e dirigjuar nga Daniel Shima dhe Gerond Meçe del qartë edhe nga dëshmia e dhënë në SPAK nga ish drejtuesi i njësisë së prokurimit në AKSHI.

Afrimiteti dhe lidhja e fortë mes Daniel Shimës, Gerond Meçes dhe Migena Shrëder, del edhe nga dëshmia e kësaj të fundit. Teksa ka shprehur rezerva për aksionerin e kompanisë ALBASCAN, ajo përmend pikërisht emrin e Daniel Shimës si pikën lidhëse me Elision Jorgjisin. 

Pra, ish zëvendësdrejtori e kishte afruar Migena Shrëder pranë grupit të Elsion Jorgjis dhe Gerond Meçes që ndanin miliona. Kjo qartëson përplasjen mes grupeve për tenderat, që pasoi me strategjinë e Gerond Meçes duke sulmuar përmes ankimimit të çdo procedure. Pra, strategjia e tij ndryshoi nga favorizimi në tendera nga Daniel Shima, tek ankimimi sistematik.

Strategjia me ankimime u bë edhe më e qartë kur Daniel Shima u largua nga AKSHI. Ato ishin momentet kur nxorrën në sipërfaqe aleancën e tij me Gerond Meçen dhe kompaninë AESS. 

Por, aq të afërta ishin lidhjet mes kompanisë ABS dhe AESS sa në listëpagesat e tyre ne kemi zbuluar të paktën 3 persona që kanë punuar për të dyja subjektet.

1. Eneo Deliu (ID: J91012039M) – del te ABS në 2023–2025 dhe te AESS në 2025

2. Kristi Sina (ID: K00803065Q) – del te ABS në 2019–2025 dhe te AESS në 2025

3. Andi Canameti (ID: K10531053K) – del te ABS në 2023–2025 dhe te AESS në 2025

Aleanca qartësohet më tej nëse analizon shkëmbimet ekonomike. Në vitin 2025, ABS e Gerond Meçes ka tranferuar drejt kompanisë AESS të Migena Shrëder plot 49,7 milionë lekë ose rreth 500 mijë euro. 

Por, nuk mbaron me kaq. Në kontratën “laboratorët Smart 2”, teksa ABS qëndroi në prapaskenë, në konsorcium u përfshinë kompanitë AEES, ALBASCAN e Elision Jorgjit, Sinteza Co dhe Synapse. Në këtë periudhë, konstatohen raporte financiare të AEES me kompaninë ‘ALU GLASS’ të Sokol Parllakut. Pra, njeriut që qarkullonte interesat financiare të Daniel Shimës me prejardhje të errët. Përmes 3 faturave, AESS ka arkëtuar te subjekti i lidhur me Shimën rreth 22 mijë euro. 

Data Blerësi NIPT Shuma
04.07.2023 Alu Glass L52303020M 793,452 lekë
18.09.2023 Alu Glass L52303020M 320,825 lekë
21.09.2023 Alu Glass L52303020M 1,079,642 lekë
Totali: 2,193,919 lekë

Sot Daniel Shima është regjistruar si person nën hetim për akuzat ‘Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike, e kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit’, ‘Grupi i strukturuar kriminal’, ‘Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal’, ‘Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike’, i kryer në bashkëpunim, më shumë se një herë.Por, në materialin e SPAK, edhe pse Shima dyshohet se i ka kryer veprat në bashkëpunim, aty mungon emri i Gerond Meçes që siç zbuluam, kanë qenë së bashku në prapaskenë. Tashmë, i njëjti grup që luajti me skemën e ankimimeve, është rikthyer nën kontrollin e tenderave pas goditjes së Ermal Beqirit dhe Ergys Agasit…

Fijet që lidhin ish numrin 2 të AKSHI me investimin 27 mln euro në Jug, a ishte në kantier ditën që u raportua pengmarrja…?!

Në episodin e parë investigues, ne zbuluam se si Daniel Shima, pas largimint nga AKSHI themeloi disa biznese përmes të cilave po tenton të riciklojë paratë e dyshuara me burim korrupsionin. Hulumtimi vijues zbulon disa të dhëna interesante rreth të tjerë partnerëve në investime luksoze.

Nyja lidhëse është kompania ‘DIGITAL EUPHORIA’ e zotëruar nga Shima. Një kompani që operon në sektorin marketing. Ne kemi analizuar me detaje aktivitetin e subjektit dhe raportet financiare, pas të cilave, dalin në dritë të dhëna interesante. Rrethi i kompanive kliente janë kryesisht ‘Fab Construction’, ‘Alu Glass’, ‘Magnus’, ‘D’Amir’, ‘Shega trans’ dhe ‘Bliss Recruiting Company’. Në dukje, faturimet duken të rregullta në aspektin ligjor, marrë parasysh dhe faktin që sektori i marketingut, është vështirë të gjesh matje konkrete mbi punën e kryer. Por, lidhjet e konsoliduara të subjekteve me Daniel Shimën, ngrenë dyshime se raporti financiar është krijuar vetëm për të ekzistuar në letër, si një formë e pastrimit të parave që dalin nga tenderat e AKSHIT…

Plot 99,6 % të totalit të hyrjeve nga faturat ‘Digital Euphoria” i ka nga subjektet Shega Trans, Alu Glas dhe Fab Construction. Në total, 24,3 milionë lekë ose rreth 250 mijë euro. 

Raporti është i konsoliduar me Shega Trans e cila arkëton pagesa prej 1,2 milionë lekë çdo muaj për një total prej 12 milionë lekësh. 

Po ashtu, raporti shfaqet i tillë edhe për kompaninë ‘Alu Glas’, e kontrolluar nga Sokol Parllaku, mik i ngushtë dhe ish ortak me nënën e Daniel Shimës në kompaninë tjetër ‘Premium Glass’. 

Pagesat nga subjekti janë fikse çdo muaj për një total prej 8,6 milionë lekësh. E njëjta formë pagese fikse vjen edhe nga kompania tjetër Fab Construction për një total prej 3,7 milionë lekë arkëtime 

Ajo që bie më tepër në sy mes kompanive është ‘FAB CONSTRUCTION’. Subjekt i lidhur me projektin hotelier luksoz në bregdetin e Borshit, ‘Radisson Individual Premium Borsh, me vlerë të deklaruar rreth 27 milionë euro. Këtu, historia bëhet edhe më interesante, nëse kemi parasysh investimet e Daniel Shimës për hotel në bregun e liqenit në Pogradec përmes të dashurës së tij Enkeleda Hysa. 

Por, a lidhet Daniel Shima me këto projekte? Formalisht, emri i tij nuk del në skenë. Por, dalin në dritë raportet financiare mes kompanisë që realizon projektin ‘Fab Construction’, dhe kompanive të lidhura me Daniel Shimën. Përpos transaksioneve të zbuluara më sipër nga ‘Fab Construction’ drejt ‘Digital Euphoria’, kompania investitore ka kontrata të rëndësishme me subjektet e drejtuara nga Sokol Parllaku, ‘Alu Glass’ dhe ‘Premium Glass’. 

Sipas informacioneve që ne disponojmë, persona të lidhur me realizimin e punimeve në stukturën luksoze hoteliere në Jug, kanë parë pikërisht Daniel Shimën duke inspektuar punimet. Kjo ka ndodhur pikërisht në 20 Gusht të vitit 2025, kur edhe u raportua pengmarrja e supozuar e Shimës.

Këto informacione, qartësojnë investimet në ndërtime dhe rrjet hotelerie nga ish numri 2 i AKSHIT që në fakt, ishte njeriu që dirigjonte tenderat sipas dëshmisë së ish kreut të Komisionit të Prokurimeve që ka rrjedhur në med

Fijet që shkojnë në hotelin luksoz në Borsh, janë konfirmim i investimeve të Daniel Shimës në ndërtim. Investime që siç kemi zbuluar më herët, janë kanalizuar përmes kompanive ‘Premium Glass’ dhe ‘Alu Glass’. Skema nisi me blerjen e trojeve nga dy kompanitë, më pas u angazhuan një sërë subjektesh të tjera për sigurmin e lejeve, kryerjen e punimeve dhe finalizimin e plotë të investimeve. 

Nga rrjeti i ri i restoranteve te kompania rekrutuese e emigrantëve, zbulohen bizneset e reja miliona euro tëDaniel Shimës

Një provë e fortë e raporteve të konsoliduara financiare që krijohen formalisht sa për të qenë me letra në rregull, është edhe adresa ‘Rruga e Kavajës”, Kompleksi “Garden Building’, Kulla 24, kati 6, Apartamenti 2A. Nëse kthehemi prapa në kohë, në vitin 2018, kompania ‘Alu Glas’, ka lidhur 2 kontrata furnizimi me subjektin zhvillues “Nova Konstruksion”. Pra, kontrata të majme që flasin për furnizimin e një godine me 24 kate. Sot, pikërisht në atë kullë strehohen kompanitë e Daniel Shimës si “Digital Euphoria”, subjekti i lavazheve “E-Lava” dhe “Blitz Facility Management”. 

Një rregull investigues ndjek parimin sipas të cilit, ‘kur na shfaqen disa informacione në dukje rastësore, por të lidhura mes tyre’, atëherë këtu nuk mund të ketë më një rastësi…

Nga rrethi familjar, tek e dashura, dhe tashmë: gjurmët që lidhen me ish njeriun e rëndësishëm në AKSHI, janë përhapur më gjerë. Por, kontrolli i parave nuk humbet kurrë. E tillë është edhe skema e investimeve në restorante luksozë, fillimisht me “Magus”, dhe tani në një degëzim të ri. 

Inside Story, ka zbuluar një tjetër Restorant që lidhet sërish me të njëjtin emër: Daniel Shima. Në qershor të vitit 2023, nën emrin e Amir Gjokmelit, kuzhinier me profesion hapet restoranti “D’Amir”. 

Pyetja që ngrihej natyrshëm ishte burimi i investimit nga një profesionist i gastronomisë, por pa mundësi kapitali të rëndësishëm. Vetëm 1 muaj pas themelimit, subjekti hap dy adresa të reja dytësore. Pra, dy degë të ushtrimit të aktivitetit. Ky zgjerim i shpejtë, nuk mund të shpjegohet me histori suksesi në një kohë që kompania sapo ishte krijuar. 

Në Korrik të vitit 2024, shtohet një tjetër adresë e re aktiviteti. Por, ky sukses i madh, shumë shpejt ngre një pikpyetje të madhe. Si ka mundësi që biznesi do të shitej vetëm pas 2 vitesh nga themelimi, në tetor të vitit 2025. Këtu, është momenti kur historia zbulon të vërtetën dhe investitorët realë. 

Blerësja e restorantit luksoz është shtetasja Albana Lopçi. Në fakt, dyshohet se ajo është thjesht fasada. Albana është mikeshë e afërt e Daniel Shimës dhe të dashurës së tij Enkeleda Hysa. Madje, ajo ishte e punësuar te kompania e Shimës ‘Digital Euphoria’. Pra, investimi në restorantin luksoz kontrollohet përmes një tjetër prestanome nga Shima. Kalimi i pronësisë, është thjesht rruga e humbjes së gjurmëve që në fakt, nuk janë shuar totalisht dhe SPAK mund ti verifikojë ende.

Edhe kryerja e kontratës së shitjes nuk mund ti lihet rastësisë. Notere është Margena Cela, sërish mikeshë e ngushtë e të dashurës së Daniel Shimës. Pra, asgjë nuk është rastësi…

Vlera e shitjes së restorantit është 100 mijë lekë të reja, një vlerë që synon të justifikohet me kapitalin e shoqërisë, por, në restorant janë investuar miliona. Veprimet sërish kryhen nga noterja Margena Cela. Nëse shohim pamjet, është e qartë se investimi ka vlera kolosale. Pavarësisht kapitalit themelues të, asetet vlejnë qindra mijëra euro. Këto, janë lëvizje në dukje ligjore, por fshehin aktivitetin e investimit dhe pastrimit të parave nga korrupsioni. 

Informacionet sugjerojnë se i njëjti person që bleu restorantin në fjalë, po merr në duar edhe administrimin e dy hoteleve luksoze që janë në proces nga Daniel Shima, përmes kompanive të lidhura që zbuluam në investigimin e mëhershëm. Po ashtu, ka të dhëna që sugjeorjnë se zonja në fjalë është përfshirë edhe në administrimin e një projekti tjetër madhor në bregdetin e Jugut… 

Në fund, por jo për nga rëndësia, do të fokusohemi në një tjetër degëzim të investimeve të ish numrit 2 të AKSHIT. Më 16 Korrik 2024 krijojet shoqëria “Bliss Company”, me adresë në rrugën ‘Asim Vokshi”, Pallati Onufri. Subjekti ka si aktivitet rekrutimin e emigrantëve të huaj. Nuk duhet të paragjykojmë, por, ky është një aktivitet që referuar 2 investigimeve të mëhershme të Inside Story, shpesh ka shërbyer për trafik të qenieve njerëzore ose mashtrim.

Themeluese e kompanisë ishte Uendi Shevroja. Sipas kërkimeve tona, rezulton se kjo shtetase punonte si teknike Ëebi në kompaninë “Digital Euphoria”. Këtu, situata qartësohet për investitorët realë…

Subjekti në fjalë, ndryshon strukturën e aksionerëve vetëm 1 muaj pas themelimit. Në gusht 2024, 60 % e aksioneve shiten nga Uendi Shevroja tek Sonila Shevroja për 60 mijë lekë, një skemë qarkullimi e përdorur rëndom për humbjen e gjurmëve. Pra, teksa SPAK heton për AKSHIN, perandoria ekonomike e Daniel Shimës vetëm zgjerohet. Nëse ai u mor në hetim penal për disa akuza, pyetja që ngeli ishte çfarë po ndodh me hetimin pasuror…

Gjurmët janë aty, transaksionet janë aty! Nëse SPAK goditi me sekuestro pasuritë e disa prej protagonistëve të abuzimit me tenderat e AKSHIT si Mirlinda Karçanaj, Ermal Beqiri, Ergys Agasi etj, grupi rival po mbretëron. Madje, siç zbuluam në dy investigime, Daniel Shima po ristrukturon dhe ndryshon prestanomet e perandorisë së tij ekonomike… Nëse nuk ndërhyhet sot, nesër do të jetë vonë! Nëse nuk sekuestrohen pasuritë e korrupsionit dhe ti rikthehen arkës së shqiptarëve, atëherë beteja me të keqen është e humbur… Parimi mbetet i pandryshuar: Ndiq Paratë…!

RELATED ARTICLES

Most Popular

Recent Comments