Trajneri i kombëtares së Portugalisë, Roberto Martinez, ka bërë një deklaratë të fortë për të ardhmen e Cristiano Ronaldos, duke lënë të kuptohet se ylli portugez mund të vazhdojë karrierën ndërkombëtare deri në Kupën e Botës 2030.
I pyetur mbi mundësinë që Ronaldo të jetë pjesë e Botërorit që do të zhvillohet pas katër vitesh, Martinez nuk la vend për dyshime, duke theksuar se sulmuesi veteran e meriton një mundësi të tillë falë profesionalizmit dhe mentalitetit të tij unik
Askush nuk duhet të ketë dyshime për këtë. Ai e ka merituar”, deklaroi trajneri portugez për Radio Cadena Ser.
Cristiano Ronaldo dhe Lionel Messi pritet të shkruajnë histori këtë verë në Botërorin që do të zhvillohet në SHBA, Meksikë dhe Kanada, duke u bërë futbollistët e parë që marrin pjesë në gjashtë edicione të Kupës së Botës.
Sulmuesi portugez debutoi me kombëtaren në vitin 2003 dhe vazhdon të mbetet rekordmeni absolut i Portugalisë për ndeshje dhe gola të realizuar me fanellën kombëtare, me 226 paraqitje dhe 143 gola. Ai është gjithashtu lojtari i vetëm në historinë e futbollit që ka shënuar gol në pesë Botërorë të ndryshëm.
Martinez e përshkroi Ronaldon si model për brezat e rinj të futbollit portugez, duke theksuar se forca e tij më e madhe mbetet uria e vazhdueshme për sukses.
“Do të donim që modeli i Cristiano Ronaldos t’u transmetohej të gjithë futbollistëve të rinj në Portugali, sepse ai është një shembull për t’u ndjekur. Cristiano nuk përcaktohet nga ajo që ha, por nga uria që ka për t’u përmirësuar. Çfarëdo që fiton, të nesërmen zgjohet me të njëjtin motivim për të bërë më shumë”, u shpreh tekniku.
Sipas trajnerit të Portugalisë, jetëgjatësia sportive e Ronaldos nuk lidhet vetëm me talentin apo aspektin fizik, por mbi të gjitha me mentalitetin e tij të jashtëzakonshëm.
Kam punuar me shumë lojtarë që fituan Champions League apo Topin e Artë dhe më pas humbën motivimin. Me Ronaldon kemi një mentalitet ndryshe. Ai përdor çdo mjet të mundshëm për të ndihmuar trupin e tij, por gjithçka nis nga mendësia dhe objektivat që i vendos vetes”, përfundoi Martinez.
